Limani: Le të mos heshtim, le të raportojmë, le t’u besojmë viktimave, le të reagojmë si një shoqëri që mbron, jo që gjykon!

Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve organizoi një ngjarje si pjesë e strategjisë së komunikimit dhe fushatës – “Ka jetë pa dhunë”, fokusuar në rritjen e ndërgjegjësimit publik rreth dhunës me bazë gjinore ndaj grave.
Ngjarja, si dhe e gjithë fushata, realizohet në bashkëpunim me Zyrën e UNFPA-së në Maqedoninë e Veriut dhe me mbështetje financiare nga Ambasada Britanike në vendin tonë.
Me këtë rast, fjalime hyrëse mbajtën Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, Zëvendës Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoninë e Veriut, Daniel Filler, dhe Shefja e Zyrës së Fondit për Popullsi të Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, Afrodita Shalja.
“Sot nuk jemi këtu vetëm për të folur. Sot jemi këtu për të thënë – mjaft më! Mjaft më me heshtje si përgjigje. Mjaft me dhunën si “çështje private”. Mjaft më çdo e pesta grua që jeton me frikë – në shtëpi, në punë, në rrugë. Dhuna ndaj grave nuk është diçka e panjohur. Nuk është statistikë. Është një realitet i përditshëm që shkatërron jetë – në heshtje, pas dyerve të mbyllura, në shtëpi ku dashuria duhet të jetë mbrojtje, jo kërcënim, theksoi Ministri Limani.
Në fjalimin e tij, ai iu referua shumë aspekteve të dhunës – emocionale, ekonomike, psikologjike, seksuale. Si dhe pasojat që dhuna lë pas.
Limani përçoi mesazhe të forte ndaj grave – viktima të dhunës, burrave – autorë të dhunës, por edhe institucioneve që duhet të parandalojnë, mbrojnë dhe reagojnë ndaj dhunës.
“Nuk je vetëm. Ka ndihmë. Ka një rrugëdalje. Ka jetë pa dhunë. Ke të drejtën për dinjitet, për të dashur pa frikë, për një shtëpi pa dhimbje. Burrëria nuk ka të bëjë me goditjen, britmat apo poshtërimin. Forca e vërtetë ka të bëjë me respektin, mirëkuptimin dhe mbështetjen. Prandaj, nëse jeni dëshmitarë, mos heshtni. Nëse jeni baballarë, mësojini bijtë tuaj të duan, jo të urrejnë. Ose jeni pjesë e zgjidhjes, ose jeni pjesë e problemit. Nuk ka rrugë të mesme”, tha Limani.
Ministri e mbylli fjalimin e tij me një apel drejtuar publikut të gjerë.
“Le të mos heshtim! Le të raportojmë! Le t’u besojmë viktimave! Le të reagojmë si një shoqëri që mbron, jo që gjykon! Nëse shpëtojmë qoftë edhe një jetë, ia vlen. Nëse qoftë vetëm edhe një grua merr një shans të dytë, kemi pasur sukses. Nuk duhet të punojmë për një – por për të gjithë. Le të ndërtojmë një shoqëri ku gratë janë të sigurta – në shtëpitë e tyre, në rrugë, në punë, në rrjet sociale, kudo. Le t’u mësojmë fëmijëve tanë – se dashuria nuk do të thotë kontroll. Se dhuna nuk justifikohet kurrë. Se heshtja nuk është mbrojtje – është leje për abuzuesin. Ne fillojmë sot. Ne fillojmë këtu. Me një zë që nuk do të hesht, me guxim që nuk do të tërhiqet. Për çdo grua. Për çdo vajzë. Për çdo të nesërme pa frikë. Mos hesht! Mos tolero! Ndërmerr veprime! Ka ndihmë! Ka shpresë! Ka jetë pa dhunë!”, theksoi Limani.