Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani, së bashku me zëvendësministrin, Gjoko Vellkovski dhe përfaqësues të Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), vizituan Shkollën Verore Kombëtare Rinore për Përfshirje Sociale, e cila po mbahet në Mavrovë.

Në fjalimin e tij drejtuar të rinjve të pranishëm, Ministri Limani shprehu kënaqësinë mbi interesin e shprehur të të rinjve për të qenë pjesëmarrës të kësaj shkolle, si dhe mirënjohje për Ambasadën Gjermane në vend( përfshirë GIZ-in), për bashkëpunimin e tyre.
“Është kënaqësi e vërtetë të jemi pionierë në krijimin e platformave për fuqizimin e të rinjve tanë. Ky është edicioni i parë i Shkollës Verore Kombëtare Rinore për Përfshirje Sociale, nismë kjo, e cila e mban vulën e fortë të Ministrisë sonë të Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve. Shkolla e Parë Kombëtare Verore Rinore për Përfshirje Sociale —nismë që mbart frymën e solidaritetit, të barazisë dhe të vizionit për një shoqëri gjithëpërfshirëse”- potencoi Limani.

ads.tetovasot.com ads.tetovasot.com

Ai theksoi se shkolla nuk është vetëm projekt, por simbol i një fillimi të ri. Simbol i partneritetit, i punës së përbashkët dhe i përkushtimit të vërtetë – si nga institucionet ashtu edhe nga të rinjtë.

“Sot përçojmë te ju mesazh të fortë – se të rinjtë janë në qendër të politikave tona dhe se përfshirja nuk është mundësi, por domosdoshmëri. Në një shoqëri të shëndetshme dhe të drejtë, askush nuk duhet të lihet mënjanë. Kjo është arsyeja pse jemi këtu: për t’i dëgjuar të rinjtë, për t’i mbështetur ata, për t’i inkurajuar ata që të jenë bartës të ndryshimeve që duam t’i shohim”- tha Limani.

Ai iu referua thelbit të shkollës, e cila përfaqëson hapësirë për të mësuar, për të krijuar rrjete, për të ndërtuar aftësi udhëheqëse, por edhe për të zhvilluar ndjeshmëri dhe përgjegjësi ndaj të tjerëve. Përmes leksioneve, punëtorive dhe aktiviteteve praktike, sporteve, të rinjtë kanë mundësinë ta zhvillojnë potencialin e tyre dhe të bëhen lajmëtarë të drejtësisë sociale në komunitetet e tyre.

“Si Ministri, ne mbetemi të përkushtuar në krijimin e politikave gjithëpërfshirëse për të rinjtë, në mbrojtje të grupevetë cenuara dhe në forcimin e zërit të të rinjve. Ky është vetëm fillimi – dhe unë besoj se bashkërisht, me mbështetjen e partnerëve, do të ndërtojmë zgjidhje të qëndrueshme, të cilat do ta bëjnë vendin tonë më njerëzor, më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë” – tha mes tjerash, Limani.