Kryetari i Komunës së Strumicës, Kostadin Kostadinov, reagoi në rrjetet sociale pasi, sipas tij, gazetari Dragan Pavlloviq-Llatas ka drejtuar kritika ndaj anëtarëve të familjes së tij. Ai paralajmëroi se “e gjithë familja Kostadinov e pret” për fjalët që i kishte thënë për babain e tij të ndjerë.

“Të thuash se babai im ‘e kishte luajtur shtëpinë në bixhoz’ dhe me këtë ta hedhësh në tavolinë për tallje – kjo nuk është humor. Kjo nuk është kritikë. Kjo është një akt i hapur lufte ndaj familjes sime. E kur sulmon një njeri të vdekur – duke ditur se ai nuk mund të të përgjigjet – atëherë do të përgjigjesh para të gjallëve. Para nesh. Para meje. Para të mitëve. Para të gjithë atyre që do të lindin me mbiemrin tonë,” – shkruan ndër të tjera në mesazhin e Kostadinovit.

Kostadinov paralajmëroi edhe “hakmarrje”
“Këtë do ta mbartësh në qafë gjithë jetën. Edhe kur të më lindë nipi, do ta dish se dikush nga Kostadinovët diku e di kush je. Edhe kur të ecësh në rrugë, do të shikosh pas shpine – sepse nuk e di nga do të vijë pagesa… Mallkimin e ke fituar. Hakmarrjen do ta marrësh. Çdo njeri që do të mbajë emrin tim – do të dijë çfarë ke bërë ti. Edhe ti do ta dish: e bëre kundër njerëzve të gabuar,” – ka porositur kryetari i Strumicës.