Opozita nga LSDM thotë se guvernatori i ri i Bankës Popullore, Trajko Slaveski, që në fillim e ka treguar fytyrën e tij të vërtetë – arrogant, i shkëputur nga realiteti dhe në anën e kapitalit të madh, e jo të qytetarëve.

“Në një intervistë të turpshme në TV21, Slaveski deklaroi se paga minimale nuk garanton jetë të denjë dhe se ‘nuk është turp të punosh dy ose tre punë’. Kjo është hipokrizia e një njeriu që tërë jetën e ka kaluar në kolltuqe, ka marrë pagë mbi 3000 euro, dhe tani i mëson qytetarët se nuk duhet të presin më shumë – por të copëtohen në tri fronte për të mbijetuar.

Trajko Slaveski, duket se nuk e kupton se jo të gjithë janë si ai. Jo të gjithë marrin paga shtetërore, jo të gjithë lindin me funksione dhe janë të lidhur me elitën. Populli që çdo ditë lufton me inflacionin, me ushqimin e shtrenjtë, me shpenzimet në rritje – nuk mund të jetojë nga këshillat e Slaveskit. Qytetarëve u nevojitet pagë reale dhe mbrojtje nga vjedhjet në markete.

ads.tetovasot.com ads.tetovasot.com

Kundërshtimi i Slaveskit ndaj ngrirjes së marzheve dhe çmimeve do të thotë një gjë: mbështetje për fitimet e zinxhirëve tregtarë, dhe jo për interesat e qytetarëve. Me deklarata të tilla, është e qartë se Trajko Slaveski do të jetë zëdhënës i shtresës së pasur që jeton në një realitet paralel. Maqedonia nuk guxon të ketë një guvernator që flet me përçmim për ata që jetojnë me pagën minimale.

A i ndan Mickoski këto qëndrime me Slaveskin, apo pikërisht ai e ka udhëzuar të flasë kështu dhe të nënvlerësojë qytetarët? A e mbështet një guvernator që mendon se lufta për një jetë të denjë është ‘shtrembërim i kuptimit’?

Si kryetar i Këshillit e shkatërroi qytetin e Shkupit, tani si Guvernator, duket se do ta shkatërrojë edhe politikën monetare.
Trajko Slaveski nuk është njeriu që i duhet Bankës Popullore, e aq më pak popullit maqedonas,” thonë nga LSDM.