Kryeministri i Mongolisë, Luvsannamsrain Oyun-Erdene, ka dhënë dorëheqjen pas humbjes në një votëbesim në Parlament, pas zemërimit në rritje të publikut për jetën luksoze të të birit. Ai mori vetëm 44 nga 64 votat e nevojshme për të qëndruar në detyrë, në një votim që u zhvillua në orët e para të së martës.
Oyun-Erdene, i arsimuar në Harvard dhe në krye të qeverisë që nga viti 2021, kërkoi votëbesimin në një kohë tensionesh të brendshme brenda partisë së tij dhe protestave popullore kundër shpenzimeve ekstravagante të familjarëve të tij. Megjithëse Partia Popullore Mongole ka qenë pjesë e një koalicioni qeverisës, dorëheqja e kryeministrit pritet të hapë rrugën për formimin e një qeverie të re në ditët në vijim.
Në mandatin e tij, Oyun-Erdene kishte synuar të tërhiqte investime të huaja në industrinë minerare, veçanërisht për bakrin dhe uraniumin, për të forcuar pavarësinë ekonomike të vendit nga fqinjët e fuqishëm si Kina dhe Rusia. Ai ishte angazhuar për zhvillimin e projekteve të mëdha si marrëveshja 1.6 miliardë dollarëshe me kompaninë franceze Orano për shfrytëzimin e një miniere uraniumi.
Turma njerëzish u mblodhën muajin e kaluar në Ulaanbaatar në protestë kundër stilit të jetesës luksoze të djalit të kryeministrit
Megjithatë, pavarësisht rritjes së të ardhurave nga eksporti dhe përmirësimeve në ekonominë kombëtare, Oyun-Erdene pranoi se kishte neglizhuar çështjet sociale dhe politike të brendshme. Ai u përball gjithashtu me kritika pas protestave të vitit 2022 për korrupsion në sektorin e qymyrit. Kredibiliteti i qeverisë së tij u godit nga skandalet e fundit, ndërsa investitorët e huaj shprehën shqetësime për stabilitetin politik në vend.
Pavarësisht sfidave, gjatë mandatit të tij Mongolia shënoi përmirësime në vlerësimin e borxhit nga agjencitë ndërkombëtare dhe rritje ekonomike të qëndrueshme. Megjithatë, dorëheqja e kryeministrit sjell pasiguri të reja për të ardhmen politike dhe ekonomike të vendit.
Zemërimi publik ndaj kryeministrit Oyun-Erdene u ndez pasi në rrjetet sociale qarkulluan pamje dhe raportime për jetën luksoze të të birit të tij, i cili shfaqej duke udhëtuar me makina luksoze, qëndruar në hotele të shtrenjta jashtë vendit dhe duke përdorur sende të shtrenjta të markave të njohura ndërkombëtare. Shpenzimet e tij, të cilat binin në sy në një vend ku një pjesë e madhe e popullsisë përballet ende me varfëri, u panë si të papërgjegjshme dhe simbol i shkëputjes së elitës politike nga realiteti i qytetarëve të thjeshtë. Kjo valë pakënaqësie nxiti protesta në rrugë dhe rriti presionin ndaj kryeministrit për të dhënë llogari.