Tre nëna qëndrojnë mbi dunat e rërës, të ndriçuara nga dielli në plazhin e Gravelines, pranë Dunkirkut, duke u treguar fëmijëve të tyre të vegjël ngushticën që shtrihet poshtë tyre – një pjesë oqeani gri-jeshil që ndan Francën nga Mbretëria e Bashkuar.
Pikërisht këtë shtrirje ato synojnë ta kalojnë në ditët në vijim. Gratë, me origjinë arabe, ishin mes mijëra emigrantëve që kontrabandistët i sollën në breg të shtunën në mëngjes, nga kampet e improvizuara në Loon-Plage – të njohura ndryshe si “xhungla” e veriut të Francës. Rreth 18 anije kaluan më pas drejt Britanisë së Madhe, duke transportuar afro 1,200 persona – numri më i lartë i regjistruar në një ditë të vetme gjatë këtij viti.
Këto nëna, si edhe qindra të tjerë të pranishëm në plazh, nuk hipën në anije atë ditë, por shprehën synimin se do ta provojnë përsëri javën e ardhshme. Sipas prefekturës detare franceze, të njëjtën ditë u shpëtuan 184 emigrantë në det dhe u kthyen në Francë.
Të premten, grupe të mëdha emigrantësh u panë duke ecur nëpër rrugët e Loon-Plage dhe Grande-Synthe, të veshur me jelekë shpëtimi. Ata u udhëzuan të vendosnin maska ndërsa hipnin në autobusë falas për në plazh, ku qëndruan gjatë natës. Udhëtimi koordinohej nga kontrabandistët kurdë.
Në kushte ideale lundrimi – me temperatura që arritën 25°C, erëra të qeta dhe dallgë të ulëta – mbërritjet e së shtunës shënuan shifrën e katërt më të lartë ditore të regjistruar ndonjëherë, duke qenë 42% më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Statistikat e ditës së shtunë:
1,378 migrantë u përpoqën të kalonin Kanalin
184 u ndaluan dhe u kthyen në Francë
Ata që arritën të kalonin ishin me kombësi të ndryshme – irakianë, sirianë, sudanezë, etiopianë, vietnamezë – dhe përfshinin edhe disa familje me fëmijë. Rreth orës 5 të mëngjesit, u dëgjuan gra dhe fëmijë duke bërtitur, ndërsa dhjetëra burra që nuk kishin siguruar vend në anije, tentuan të hipnin forcërisht, duke rrezikuar përmbysjen e mjeteve tashmë të tejmbushura.
Policia franceze, e pranishme në breg, nuk ndërhyri për të ndaluar lundrimin, pasi ligji francez e lejon ndërhyrjen vetëm nëse ekziston një rrezik i dukshëm për jetën.
Një burrë irakian, që ndodhej me gruan dhe fëmijët e tij, tha për The Times: “Ka shumë njerëz, po luftojnë për një vend. Madje i kërkova kontrabandistit një jelek shpëtimi, por ai tha se nuk ka mjaftueshëm për të gjithë.” Ishte përpjekja e tij e tretë për të kaluar Kanalin. “Çdo herë, varka është e tejmbushur. Është shumë e rrezikshme. Më kanë mbetur vetëm 1,400 paund. Tani do të provoj të kaloj me kamion – kontrabandistët kurdë do ta organizojnë.”
Sipas Ministrisë së Brendshme britanike, nuk pati mbërritje të reja të azilkërkuesve me varka të vogla gjatë një jave të tërë, por shqetësimi për kalimet klandestine me automjete po rritet, ndërsa zbulimet e rasteve të tilla kanë rënë ndjeshëm.
Në kampin e Loon-Plage, Abdul Rahman, 45 vjeç, refugjat nga Alepo, tha se synon të shkojë në Britani për të punuar dhe për të dërguar para për gruan dhe fëmijët e tij: “Nuk ka të ardhme atje.” Ai rrëfeu se një javë më parë kishte qenë në një përpjekje të pasuksesshme për kalim, gjatë së cilës humbën jetën dy nga miqtë e tij. “Çdo herë duhet të paguajmë. Kam bërë tre përpjekje të dështuara brenda tre javëve.”
Ai tregoi gjithashtu se gjatë një operacioni policor në kamp, të enjten, i ishin shkatërruar të gjitha sendet personale: “Francezët janë më të mirë se gjermanët me emigrantët, por ndonjëherë janë mizorë. Duan që të largohemi.”
Më vonë, gazetari i The Times, i cili ishte ftuar në kamp nga Abdul Rahmani, u përjashtua papritur. “Na vjen keq. Na kanë thënë se nëse flasim me shtypin, nuk do të na japin vend në anije,” shpjegoi ai, duke shtuar me zë të ulët:
“Lutuni për ne.”