Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se Franca do ta mbrojë Izraelin nëse Irani e sulmon atë.

“Nëse Irani sulmon Izraelin në shenjë hakmarrjeje, Franca, duke marrë parasysh asetet e saj dhe nëse është në gjendje ta bëjë këtë, do të marrë pjesë në operacione për të mbrojtur Izraelin”, tha Macron në një konferencë për shtyp.

“Shpreha gatishmërinë tonë në këtë drejtim”, shtoi Macron.

Gjithashtu, ai tha se Franca nuk ka ndërmend të marrë pjesë në ndonjë operacion ofensiv, shkruan AA.

ads.tetovasot.com ads.tetovasot.com

“Ne nuk do të marrim pjesë në një operacion ofensiv, ne kërkojmë një zgjidhje diplomatike.”

“Përballë një rreziku të madh destabilizimi për të gjithë rajonin, Franca tani u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje maksimale për të shmangur përshkallëzimin. Çështja e programit bërthamor të Iranit është një çështje serioze, ekzistenciale. Tani duhet të zgjidhet përmes negociatave”, tha presidenti francez.

Ndër tjera, ai shprehu “keqardhje” për faktin se Irani nuk e ka marrë seriozisht propozimin e SHBA-së që lejon pasurimin e kufizuar të uraniumit në nivel të ulët.

“E them këtë me qartësinë më të madhe: rreziku i përparimit të Iranit drejt armëve bërthamore kërcënon rajonin, Evropën dhe më gjerë, stabilitetin kolektiv. Ne nuk mund të jetojmë në një botë ku Irani zotëron një bombë atomike, sepse ky është një kërcënim ekzistencial dhe një kërcënim për sigurinë tonë.”

Ndryshe, Macron konfirmoi se nuk kishte marrë pjesë në operacionet e fundit ose në planifikimin e tyre.