Në Haxhin Temetu, këtë haxh që e kryejnë haxhilerët tanë, therrja e kurbanit është
kusht i patjetërsueshëm. A janë informuar haxhilerët tanë që kurbanët e tyre janë
therrur? A u është dorëzuar fletëpagesa për konfirmim?
Nga Mr. Eset Shaqiri
Në një kohë kur institucioni fetar duhet të jetë shembulli më i lartë i transparencës,
moralit dhe përgjegjësisë ndaj besimtarëve, Bashkësia Fetare Islame (BFI) në
Maqedoninë e Veriut është shndërruar në një qendër të praktikave të errëta,
manipulimeve të ulëta dhe përfitimeve të turpshme. Nën drejtimin e Shaqir Fetait, ky
institucion nuk po vepron si një vatër e udhëheqjes shpirtërore, por si një mekanizëm i
zhveshur nga çdo ndjenjë përgjegjësie fetare dhe institucionale, duke luajtur haptazi me
ndjenjat, besimin dhe financat e besimtarëve. Më poshtë, në mënyrë të paanshme dhe
me tone të ashpra, do të analizojmë një nga skandalet më serioze që lidhen me
manipulimin e besimtarëve përmes kurbanëve – një akt që bie ndesh me çdo parim
fetar, etik dhe njerëzor.
Falsifikimi i besimit në emër të “Medresesë” që nuk ekziston
Shaqir Fetai, një figurë kontroverse dhe e imponuar në krye të BFI-së nga qarqe të
errëta që qëndrojnë jashtë interesave të komunitetit mysliman, ka dalë publikisht me një
falënderim për besimtarët që kanë dhuruar kurbanë “për Medresenë Isa Beu”. Por për
cilën Medrese bëhet fjalë? Kjo pyetje nuk është thjesht retorike, por thelbësore: sepse
Medreseja tradicionale “Isa Beu”, në formën e saj origjinale si institucion fetar arsimor,
është çregjistruar dhe zëvendësuar me një gjimnaz privat që Kushtetuesja e ka rrëzuar
si të jashtëligjshëm për mospërputhje me legjislacionin mbi shkollat fetare. Atëherë, me
çfarë të drejte manipulohen besimtarët që t’i japin kurbanët e tyre për një institucion që
de jure nuk ekziston?
Afera e kurbanëve: një rrëfim i mjegullt dhe i papranueshëm
Sipas “raportit” të vetëproklamuar të Shaqir Fetait, janë mbledhur plot 4783 kurbanë, të
gjithë të dedikuar për “Medresenë”. Kjo shifër është alarmante jo për madhësinë, por
për mungesën e çdo transparence. Asnjë informacion nuk është dhënë për mënyrën e
therrjes, shpërndarjes apo menaxhimit të mishit të kurbanëve. A janë përdorur
frigoriferë të certifikuar në Myftinitë lokale? Apo u shpërndanë me sistemin “kush të
mundet, merr sa të mundet”? Nga momenti që mishi largohet nga thertoret, institucionet
vendore nuk kanë më asnjë kontroll – as mbi destinacionin, as mbi përfituesit.
Po aq e turpshme është edhe manipulimi institucional: në vend që të deklarohet hapur
se kurbanët jepen për BFI-në dhe përmes saj për institucionet përkatëse, përdoret emri
i Medresesë për të përfituar emocionalisht dhe financiarisht nga ndjenja fetare e
besimtarëve. Pse nuk u tha thjesht: “jepni për BFI-në, për nevojat e saj”? Sepse është
më e lehtë të shfrytëzosh emrin e një institucioni edukativ fetar, për të legjitimuar një
operacion që në thelb është financiar dhe fetar.
Rënia drastike e besimit – një reflektim i dështimit total
Nëse më 2014 u besua dhe u kontribuoua me 8128 kurbanë, sot shifra ka rënë në 4783
– një rënie dramatike prej 3345 kurbanësh. Kjo nuk është vetëm statistikë; kjo është një
dëshmi e qartë e mosbesimit që besimtarët kanë ndaj këtij institucioni dhe ndaj mënyrës
se si po administrohet. Arsyet janë të shumta: një Medrese që praktikisht nuk
funksionon si institucion fetar, maturantë që vit pas viti po pakësohen në mënyrë
alarmante (nga 200 në 50 maturantë, nga 800 nxënës sa vijonin mësimet në Medrese,
tani nuk ka më shumë se 200 ne pesë paralele të dispersuara nëpër qytete të ndryshme
të vendit, dhe me tendencë në rënie të mëtejshme), dhe mungesë e plotë e kontrollit
institucional.
Mashtrimi me kurbanët e haxhilerëve – fyerje e shenjtërisë së Haxhit
Skandali nuk ndalet në Maqedoninë e Veriut – ai shtrihet edhe në tokat e shenjta. Janë
rreth 2020 kurbanë që i përkasin haxhilerëve tanë – njerëz që udhëtojnë drejt Mekës
për të përmbushur detyrimin më të madh fetar të jetës së tyre. Në Haxhin Temetu, këtë
haxh që e kryejnë haxhilerët tanë, therrja e kurbanit është kusht i patjetërsueshëm. A
janë informuar haxhilerët tanë që kurbanët e tyre janë therrur dhe ku janë therrur? Ne
Meke apo në RMV? A u është dorëzuar fletëpagesa për konfirmim? Apo thjesht u është
thënë gojarisht se “është bërë”, ndërkohë që “mishrat” kanë përfunduar në xhepat e
njerëzve të afërt me strukturën që drejton Shaqir Fetai?
Kjo është jo vetëm manipulim, por çnjerëzim i besimit. Është blasfemi të përdorësh
emrin e Mekës dhe Medinës për të vjedhur. Për të mashtruar. Për të mbuluar dështimin
institucional me lajme të kota si: “nisi ligjërata në hotelin e haxhilerëve”. Natyrisht që
nisi! Është detyrë, jo lajm. Është minimumi që pritet, jo justifikim për çmime më të larta
dhe hajni më të sofistikuar.
Koha për përgjegjësi institucionale, jo për propagandë
Besimtarët nuk janë dele për t’u manipuluar, as mjete për përfitim. Kërkohet urgjentisht
një auditim i plotë i BFI-së, transparencë për çdo kurban, publikim i fletëpagesave,
kontroll i shpërndarjes së mishit dhe një riorganizim i thellë institucional që fillon me
dorëheqjen e Shaqir Fetait dhe ndëshkimin e çdo akti të turpshëm që ka cenuar besimin
e njerëzve.
Institucionet fetare janë shenjtëri morale, jo ndërmarrje tregtare. Ata që nuk e kuptojnë
këtë, nuk kanë vend as në selitë e tyre dhe as në ndërgjegjen e besimtarëve të këtij
vendi.