Maqedonia e Veriut po përballet me një krizë të thellë demografike. Të dhënat e fundit tregojnë një ulje drastike të natalitetit dhe një trend alarmant të emigrimit të familjeve të reja. Vetëm gjatë 15 viteve të fundit, numri i foshnjave të lindura në vend është zvogëluar për më shumë se 8.000, duke rënë nga rreth 24 mijë lindje në vitin 2010 në vetëm 16 mijë në vitin 2024, informon PressOnline.al

Sipas analizave, mbi 10% e fëmijëve të lindur në dekadën e fundit kanë emigruar me prindërit e tyre para se të regjistroheshin në shkollë, duke ndikuar drejtpërdrejt në zbrazjen e shkollave dhe në strukturën e ardhshme demografike.

Rënia më drastike është evidentuar në rajonin juglindor dhe lindor të vendit, ku në disa komuna nataliteti ka rënë mbi 60%. Edhe rajoni i Shkupit, si kryeqendër, ka regjistruar një ulje prej 21% të lindjeve.

Demografi Gerasimovski thekson se që nga viti 2019 në Maqedoni ka filluar rritja negative natyrore – pra vdekjet po i tejkalojnë lindjet.
Ndërkohë, Vlatko Gjorgçev, koordinatori nacional për demografi, paralajmëron se emigrimi do të ketë pasoja në të gjitha sferat: nga mungesa e fuqisë punëtore deri te rënia e të ardhurave buxhetore nga taksat.

Projeksionet afatgjata janë edhe më shqetësuese: deri në vitin 2055, popullsia e Maqedonisë pritet të bjerë nën 1.3 milionë banorë. Kjo do të ndikojë rëndë në sistemin pensional, tregun e punës dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.(PressOnline.al)