Komisionarja europiane për zgjerim, Marta Kos, të hënën dhe të martën do të jetë në Shkup, ku do të zhvillojë takime me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe kryeministrin Hristijan Mickoski, me fokus tek përpjekjet për përshpejtimin e zbatimit të Planit të BE-së për zhvillimin e rajonit. Siç njoftoi Komisioni Europian, në takim me Kosin, përveç kryeministrit Mickoski, do të marrin pjesë edhe liderët e Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Serbisë dhe Malit të Zi. Në paralajmërim theksohet se Plani për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor ofron përfitime për gjashtë vendet që përgatiten për anëtarësim në BE dhe në takim do të shqyrtohet progresi i arritur, si dhe do të diskutohen hapat e ardhshëm për zbatimin e tij.