MASH-i konstaton: Shkolla e vjetër e Nerovës nuk është në gjendje të mirë/ Pritet vendimi për objektin e ndërtuar nga vet banorët

Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, kanë inspektuar të dy objektet shkollore në fshatin Nerovë të komunës së Krushevës dhe sipas MASH-it, aktualisht së bashku me komunën e Krushevës janë duke shqyrtuar mundësitë për tejkalimin e situatës së krijuar në Nerovë. Sa i përket objektit të vjetër shkollor të këtij fshati, pas kontrollit nga Ministria e Arsimit është konstatuar se nuk është në gjendje të mirë dhe nevojiten ndërhyrje për përmirësimin e kushteve.
“Përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës inspektuan të dy objektet dhe aktualisht janë duke shqyrtuar opsionet për tejkalimin e sfidës, së bashku me komunën. Objekti ekzistues nuk është në gjendje të mirë dhe nevojiten ndërhyrje për përmirësimin e kushteve. Ndërsa sa i përket objektit të ri, Ministria nuk ka marrë pjesë në punimet ndërtimore dhe as nuk ka mbikëqyrur punimet, kështu që nuk do të mund të jepej pëlqimi për transferimin e fëmijëve atje, duke qenë se nuk dihet nëse janë respektuar të gjitha normat për ndërtimin e një objekti shkollor në të cilin nxënësit duhet të jenë të sigurt. Kjo do të përcaktohet më tej. Ne jemi duke komunikuar me komunën dhe do të njoftoheni”, njoftojnë nga Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Nisma e banorëve të fshatit Nerovë për ndërtim të një objekti të ri shkollor erdhi pas ankesave të shumta për mos pasje të kushteve për mësim të mbi 120 nxënësve shqiptarë të shkollës fillore “Nikolla Karev” të fshatit Nerovë të Komunës së Krushevës. Pasi banorët u ndaluan që të vazhdojnë punimet në objektin e ri që e ndërtuan me vetë kontributin e tyre, dolën në protestë ndërsa fëmijët bojkotuan mësimin. Më pas fëmijët iu rikthyen mësimit, por zgjidhje për Nerovën ende nuk ka. /Alsat.mk