Shoqata për Kulturë dhe Art “Tradita” nga Tetova ka njoftuar se më 10 qershor 2025, në orën 11:00, në Këndin e Kujtesës “Prof. Dr. Fadil Sulejmani” në Universitetin e Tetovës, do të mbahet Edicioni i XII-të i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”.
Ky aktivitet tashmë tradicional, i cili bashkon figura të shquara nga fusha e kulturës, artit, arsimit dhe shkencës, për këtë vit do të përfshijë një program të pasur dhe përmbajtësor. Në kuadër të tij do të zhvillohen këto veprimtari:
Shënimi i 147-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit;
Përkujtimi i veprimtarisë atdhetare të Dervish Himës;
Ndarja e Çmimit Kombëtar “Ali Vishko” për vitin 2025;
Ndarja e Çmimit “Selim Ramadani” për vitin 2025;
Ora letrare “Shtigje poetike”;
Si dhe një program artistik me pjesëmarrjen e krijuesve dhe interpretuesve të njohur.
Organizatorët bëjnë të ditur se ky manifestim është dëshmi e vazhdimësisë së angazhimit për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore kombëtare.
“Ju mirëpresim në këtë ngjarje të veçantë dhe ju jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që i jepni veprimtarive tona arsimore, shkencore dhe kulturore–artistike,” thuhet në njoftimin e Shoqatës “Tradita”.