Mersim Maksuti

Në cilësinë e anëtarit të grupit punues rreth LIGJIT PËR PËRFAQËSIM ADEKUAT DHE TË DREJTË, dua të informoj opinionin e gjerë publik

PËR MENDIMIN TIM TË NDARË (NDRYSHE)

me rastin e miratimit të Propozim Ligjit përkatës dje në Qeverinë e RMV-së.

" "

Më poshtë, po elaboroj disa nga vërejtjet e mia kryesore, lidhur me këtë Propozim Ligj gjatë grupit punues të cilat nuk arritën të inkorporohen në përmbajtjen e tij, por që publikisht e ndjej të arsyeshme ti sqaroj.

E para, vështruar në përgjithësi, vërejtja ime bazë është se ky, Propozim Ligj, me gjithë mangësitë që ka, nuk ofron garancë për zbatimin e tij efektiv në praktikë, ngase kjo çështje është lënë vetëm në vullnetin politik të një Trupi Koordinativ pranë Qeverisë së RMV-së, i cili do të ndjek dhe analizojë gjendjen në raport me përfaqësimin adekuat dhe të drejtë në sektorin publik, duke kërkuar nga organet kompetente të dhëna dhe informacione që lidhen me gjendjen e përfaqësimit të qytetarëve që u përkasin të gjitha bashkësive etnike dhe përgatitjen e raportit së paku një herë në vit për këtë çështje përpara Qeverisë. Vërejtja ime, është se ky Trup Koordinativ nuk është përcaktuar të udhëhiqet nga zv.kryeministri i parë i Qeverisë së RMV-së (por nga njëri nga zëvendës kryeministrat) dhe se nuk ka juridiksion të mbikëqyrë apo kontrollojë organet kompetente për zbatim të të këtij Ligji, dhe as të propozojë masa përpara Qeverisë së RMV-së për thirrjen në përgjegjësi politike ndaj bartësve të institucioneve publike, për mos zbatim të këtij Ligji.

E dyta, edhe pse ky Propozim Ligj ka si qëllim afirmimin dhe avancimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të qytetarëve që u përkasin të gjitha bashkësive etnike në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet publike në të gjitha nivelet, realizimi i tij, paraqitet në formë të kushtëzuar dhe të kufizuar, nëpërmjet respektimit të parimit të barazisë, profesionalizmit, kompetencës dhe inkluzivitetit. Kjo lë hapsirë që në konkurset publike për punësime dhe avancime të qytetarëve në emër të profesionalizmit të mos pranohet askush si pjesëtarë i një bashkësie etnike më pak të përfaqësuar, dhe me këtë, cenohet drejtpërdrejtë Kushtetuta e RMV-së dhe Amendamenti i VI i saj i cili mbron dhe garanton përfaqësimin adekuat dhe të drejtë të qytetarëve që janë më pak të përfaqësuara në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet publike, si vlerë themelore e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ligji në këtë rast, si qëllim parësor, duhet të ketë mbrojtjen dhe realizimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të qytetarëve si pjesëtar të një bashkësie etnike të caktuar, si një e drejtë kolektive e tyre, dhe jo profesionalizmin e kandidatëve që vjen në shprehje e drejta e tyre si një e drejtë individuale. Në rast të një konflikti midis një të drejte që konsiderohet si e drejtë kolektive dhe asaj që konsiderohet si e drejtë individuale, çdoherë, si rregull, e drejta kolektive duhet të predominoj apo të jetë prioritare mbi të drejtën individuale.
Përdryshe, vetë Kushtetuta e RMV-së është garancë se të drejta të caktuara nuk mund të kufizohen me ligj.

E treta, Ky Propozim Ligj, duket se është mjaft padrejtësisht i ndikuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese me të cilën vlerëson si antikushtetues të drejtën e deklarimit të detyrueshëm të përkatësisë etnike të kandidatëve në kuotat e parapara në konkurset publike (i referohet Metodologjisë së punësimit e njohur si balansuesi). Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të RMV-së nuk kufizon të drejtën e legjislativit që me Ligj të mos parashihen kuotat etnike në konkurset publike, por vetëm ndalon deklarimin e detyrueshëm të përkatësisë etnike të qytetarëve me rastin e punësimit apo avancimit të tyre. Vendimi i Gjykatës kushtetuese të RMV-së nuk mund të jetë barrier për konkretizimin e Amendamentit të VI të Kushtetutës së RMV-së me Ligj, sipas të cilit Kuvendi i RMV-së mund të parashohi dhe opsione tjera për jetësimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë në praktikë. P.sh. zbatimi i përfaqësimit adekuat dhe të drejtë mund të bëhet nëpërmjet dy postulateve: Pabarazia në pabarazi dhe pabarazia në barazi. Dua të them që Gjykata Kushtetuese e RMv-së me vendimet e saj nuk mund të diktoj tempon legjislative të Kuvendit, por kjo është kompetencë kushtetuese meritore vetëm e Kuvendit të RMV-së. Thënë thjesht, duket se Gjykata kushtetuese e RMV-së është shndërruar në legjislativ.

E katërta, Propozim Ligji në fjalë i mungon kompetenca shumë e rëndësishme se mbrojtja juridike e tij, që nënkupton në radhë të parë, parashikimin e sanksioneve juridike kundërvajtëse ndaj zyrtarëve publikë që janë kompetentë për zbatimin e këtij Ligji si dhe mbrojtjen gjyqësore të tij. Ne nuk jemi shtet skandinav që reflektojmë një kulturë të lartë institucionale të zbatimit të ligjit, prandaj të gjithë jemi të vetëdijshëm për pritshmëritë nesër të zbatimit dhe efektit juridik të këtij Ligji në praktikë.

Si përfundim i tërë kësaj, po ritheksoj se në mungesë të sanksioneve juridike kundërvajtëse ndaj zyrtarëve publik, përgjegjësisë politike ndaj bartësve të funksioneve publike dhe lënien në vullnetin politik të zbatimit të këtij ligji janë indikator se ky Propozim Ligj nuk do të arrij efektin juridik të dëshiruar.