Zv. kryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka reaguar ashpër ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke e akuzuar këtë parti për mungesë vizioni opozitar dhe për përpjekje për rikthim në pushtet përmes “skenarëve destabilizues dhe urrejtjes ndëretnike”.

Sipas Mexhitit, prapa këtyre skenarëve qëndron një “shef në arrati” i dezinformatave, i cili, sipas tij, financohet nga struktura ruso-serbe përmes rrjeteve të bixhozit dhe kazinove, të cilat janë futur në vend nga vetë BDI.

“Skenarët po i udhëheq “shefi në arrati” i lajmeve të rrejshme, i financuar nga nëntoka ruso-serbe e instaluar përmes bixhozit dhe kazinove që i solli vetë BDI në vend.
Dështuan me Taravarin. Dështuan me Danella Arsovskën. Tani fajësojnë VLEN-in për çdo dështim të tyre!

E hoqën Balancuesin vetë, pastaj thanë: “VLEN e ka fajin!”; E lanë ligjin për gjuhën shqipe të papërfunduar, dhe sërish: “VLEN e ka fajin!”; Regjistruan mërgatën me metodologji që vetë e propozuan, sot, VLEN ua ka fajin!; Ky është manuali i propagandës së vjetër: shpikje, përçarje dhe viktimizim”, shkruan Mexhiti në Facebook.

Mexhiti shton se shqiptarët nuk i besojnë më atyre që ikën nga drejtësia dhe kërkojnë të rikthehen përmes kaosit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume