Zv/kryeministri Izet Mexhiti edhe sot ka vazhduar me publikimin e të dhënave lidhur me regjistrimin e fundit të popullsisë. Sipas të dhënave të publikuara nga Mexhiti, në regjistrimin e vitit 2021, në Reçicë të Vogël janë regjistruar 1.653 banorë shqiptarë mbi moshën 18 vjeç, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, partitë shqiptare gjithsej kanë arritur 2402 vota.
Ja dhe postimi i tij i plotë:
“Diaspora ndërtoi vendin, BDI ia fshiu emrin!
Meqenëse banorët e Gërçecit, selia e BDI-së i ka shpërngulur në fshatrat fqinj, le t’na shpjegojnlë kuadrot e kësaj partie se ku i shpërngulën banorët e Reçicës së Vogël?
Sipas regjistrimit të vitit 2021, realizuar nga kuadrot e selisë BDI, në Reçicë të vogël janë regjistruar gjithsej 1.653 banorë shqiptarë mbi moshën 18 vjeç, kurse vetëm në zgjedhjet Parlamentare të vitit të kaluar, në Reçicë të Vogël, partitë shqiptare gjithsej kanë arritur 2402 vota shqiptare.
Pa i analizuar banorët që nuk kanë dalë në votime dhe ato nën 18 vjeç, në Reçice mungojnë 800 banorë. Nëse i shtojmë edhe ato që nuk kanë votuar dhe nën 18 vjeç, në Reçicë të vogël ka mungesë të mbi 3.500 banorëve të regjistruar.
A do të thotë BDI se në zgjedhje kanë votuar i madh e i vogël? Mbi 18 dhe nën 18 vjeç? Ka votuar i ri dhe i moshuar, bile dhe mbi 100% të popullatës? Apo BDI ka shpërngulur banorë nga Reçica në ndonjë vendbanim tjetër?”