17 qershor 2025, Shkup – Sot, Ministria e Financave dërgoi kërkesë për shprehje interesi te 22 institucione financiare ndërkombëtare dhe banka të huaja komerciale për financimin e projektit për ndërtimin e linjës së shpejtë hekurudhore përgjatë Korridorit 10.

Bëhet fjalë për institucione financiare nga Evropa, SHBA-ja, Japonia dhe Mbretëria e Bashkuar, disa prej të cilave janë institucione me të cilat vendi ka bashkëpunuar paraprakisht në projekte të caktuara.

Kërkesë më konkrete i është dorëzuar Bankës Botërore, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Evropiane Investuese, Fondit të Zhvillimit Ndërkombëtar të OPEC-ut, Agjencisë Franceze të Zhvillimit, Bankës Zhvillimore KfW, Bankës Zhvillimore të Italisë, Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Bankës Gjermane DZ, Morgan Stanley-it, Bankës UniCredit në Austri, Bankës City, JP Morgan-it, Bankës Deutche, Bankës Societe Generale, Bankës ERSTE, Bankës IMI, Bankës britanike Standard Chartered, Bankës së Amerikës, Bankës Japoneze MUFG, si dhe Bankës Amerikane Goldman Sachs. Vlera që kërkohet për realizimin e këtij projekti është 1.91 miliardë euro.

ads.tetovasot.com ads.tetovasot.com

Sipas kërkesës së dërguar, përgjigjja për të treguar interes nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe bankat e huaja komerciale duhet të dorëzohet deri në fund të këtij muaji, me mundësinë për zgjatjen e afatit sipas kërkesës së bankave.

Ministria e Financave ua dërgon kërkesën e interesit institucioneve ndërkombëtare financiare bazuar në Konkluzionin e Qeverisë dhe në bazë të rregulloreve ligjore, përkatësisht Ligjit të Borxhit Publik.

Ministria e Financave, së bashku me kërkesën, ua dërgon arsyetimin e projektit të përgatitur nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe Infrastruktura Hekurudhore e Maqedonisë, institucioneve dhe bankave financiare ndërkombëtare, i cili u shqyrtua edhe nga Qeveria.