Mickoski: Aliu dhe Hoxha janë pjesë e një procesi të rëndësishëm të rifreskimit, avancimit dhe vendosjes së standardeve të reja

Pothuajse një vit më parë, qytetarët dërguan një porosi të qartë në zgjedhje.
Një porosi për ndryshim.
Një porosi për t’i dhënë fund fundosjes dhe pasigurisë.
Një porosi për një fillim të ri dhe për shpresë të re.
Si Qeveri, kemi marrë përgjegjësinë për t’ua rikthyer shtetin qytetarëve.
Në këtë pothuajse një vit – hap pas hapi, po e kthejmë ndjenjën e humbur se shteti është këtu për qytetarët, dhe jo anasjelltas.
Ndërtojmë një sistem që nuk i bën njerëzit të vegjël para institucioneve, por institucione që i shërbejnë çdo qytetari në mënyrë të barabartë.
Sot jemi këtu që tа vazhdojmë këtë proces.
Dhe tа forcojmë atë!
Jam para jush si propozues i dy zgjidhjeve kadrovike që kanë të bëjnë me dy dikastere: shëndetësinë dhe bujqësinë.
Kjo nuk është vetëm çështje e një zgjedhjeje personale.
Kjo është pjesë e një pamjeje më të gjerë – drejtimi i reformës në të cilin lëviz Qeveria dhe aspirata jonë për ta vendosur sistemin mbi themele të reja dhe të shëndetshme.
Po e filloj me shëndetësinë.
Asnjë sektor nuk e pasqyron gjendjen e një shoqërie si shëndetësia.
Ajo është një pasqyrë e shtetit – në organizim, në qasëshmëri, në humanizëm.
Për shumë vite e kemi parë atë pasqyrë të çahet – për shkak të papërgjegjshmërisë, korrupsionit, partizimit, neglizhencës.
Kemi parë klinika që shkatërrohen, pajisje që nuk funksionojnë, ilaçe që nuk janë të disponueshme, njerëz që presin me muaj për një diagnozë ose terapi.
Kemi parë mjekë që largohen, infermierë që nënvlerësohen, pacientë që humbasin durimin dhe shëndetin.
Ne nuk premtuam ta ndryshonim këtë brenda natës.
Por premtuam se do të fillojmë nga themeli dhe nga rrënja.
Që do ta ndërpresim lidhjen midis politikës dhe shëndetësisë.
Që do të vendosim llogaridhënien dhe parime të reja të qeverisjes.
Do t’i dëgjojmë ata që punojnë në terren dhe do t’i vendosim pacientët në radhë të parë.
Në emër të gjithë kësaj dhe në atë drejtim, unë propozoj Dr. Azir Aliun si Ministër të ri të Shëndetësisë.
Dr. Aliu është doktor i shkencave kompjuterike, profesor, një njeri që është marrë me menaxhimin e sistemeve, të dhënave dhe zgjidhjeve digjitale për vite me radhë.
Në një kohë kur disa shtete marrin një diagnozë me një klikim, ne ende vrapojmë nga sporteli në sportel.
Është koha që kjo të ndryshojë.
Dhe pikërisht për këtë arsye ne besojmë se energjia dhe njohuritë e tij do të sjellin një dimension të ri në menaxhimin e sistemit të shëndetësisë.
A do të jetë e lehtë?
Jo, nuk do të jetë.
Por a është e mundur?
Po. Sepse ne tashmë kemi treguar se mund të bëhet.
Ka kaluar më pak se një vit dhe ndryshimi tashmë ndihet.
Kemi filluar me programet e skriningut, kemi ulur listat e pritjes, kemi futur barna të reja në listën pozitive dhe paralelisht po punojmë në ndryshime ligjore që do të sjellin rend sistemik. Njëkohësisht po përgatiten projekte të mëdha infrastrukturore – ndërtimi dhe rinovimi i institucioneve shëndetësore, si dhe digjitalizimi, i cili do të parandalojë keqpërdorimet dhe do të mundësojë çdo pacienti të ketë evidencë, shërbim dhe qasje deri te sistemi.
Në këtë proces, Dr. Aliu do të ketë mbështetje të fortë nga unë si Kryetar i Qeverisë.
Por edhe përgjegjësi të fortë personale.
Pritjet nga ai janë të larta dhe koha nuk është aleati ynë.
Emërimi i dytë ka të bëjë me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.
Propozoj z. Albrim Hoxhën si zëvendësministër.
Bujqësia nuk është vetëm një degë ekonomike – është një mënyrë jetese.
Këto janë familjet, fshatrat, e ardhmja.
Këto janë fushat tona, ushqimi ynë, siguria jonë.
Dhe për fat të keq, edhe kjo fushë u neglizhua për vite me radhë.
Bujqit u lanë vetëm, pa mbështetje, pa vizion, me mijëra probleme dhe asnjë zgjidhje të vetme sistemike.
Borxhe që kjo Qeveri po i shlyen, duke filluar nga viti 2021, 2022 dhe 2023.
Z. Hoxha është ri, por një njeri serioz, që e di se si duket terreni.
Besoj se ai do të jep energji të fortë dhe do të jetë një mbështetje e fortë për ministrin dhe do të kontribuojë që bujqësia më në fund të fitoj një kornizë sistemike dhe një vizion për të ardhmen.
Të nderuar deputetë,
Këto dy emërime nuk janë vendime të izoluara.
Ato janë pjesë e një procesi të rëndësishëm të rifreskimit të avancimit dhe vendosjes së standardeve të reja.
Që nga dita e parë, Qeveria që unë drejtoj ka pasur një qëllim të qartë: të sjellim rezultate.
Jo deklarata.
Jo arsyetime.
Por rezultate.
Në 100 ditët e para siguruam stabilitet.
Tani po shohim rritje të ekonomisë, rritje të mbledhjes së taksave pa rritur normat, investime të reja dhe rritje të prodhimit industrial.
Po vendosim rregull në kaosin që e trashëguam dhe po krijojmë kushte që qytetarët të besojnë sërish – jo në parti, por në një shtet që funksionon
Sigurisht, ky nuk është fundi.
Ky është vetëm një kapitull i ri.
Sepse e dimë – qytetarët janë zhgënjyer për shumë gjatë.
Kanë pritur për shumë kohë.
Për shumë kohë dëgjuan premtime që kurrë nuk u realizuan.
Pikërisht për këtë, obligimi ynë është i madh.
Do të vazhdojmë me një ritëm edhe më serioz.
Do të vazhdojmë me dorëzimin e rezultateve të matshme.
Prandaj, ju bëj thirrje të gjithëve – t’i mbështesim këto propozime.
Sot ju votoni për vazhdimin e një procesi të rinovimit të vërtetë, e jo për kthim prapa.