Sot jemi këtu për të dërguar mesazhin e fuqishëm se toka maqedonase ushqen, se tryeza maqedonase ka ardhmëri dhe se populli maqedonas mbështetet – dhe do të vazhdojë të mbështetet – në punën, dijen dhe dashurinë me të cilën bujqit tanë e punojnë tokën.
Manifestimi „Nga ara në tryezë“ nuk është vetëm treg apo panair. Është simbol. Simbol i gjithë një zinxhiri që fillon me vesën e mëngjesit në arat maqedonase, vazhdon përmes djersës së bujkut, përmes mjeshtërisë së përpunuesit, deri te shija që ndjejmë në çdo mollë vendore, çdo djathë, çdo domat nga toka maqedonase.
Maqedonia ka potencial – dhe kjo nuk është frazë, është fakt.
Kemi diell, kemi ujë, kemi tokë pjellore. Por mbi të gjitha – kemi njerëz. Njerëz që nuk frikësohen nga agimi, nga balta në duar, nga puna deri vonë në mbrëmje. Ata janë heronjtë e vërtetë të kohës sonë. Ata janë shtylla e ekonomisë, e traditës dhe e së ardhmes.
Si Qeveri, jemi të vendosur t’i kthejmë nderin dhe vlerën bujkut maqedonas. Bujqësia është prioritet strategjik i kësaj Qeverie.
Në një periudhë prej vetëm njëmbëdhjetë muajsh, kemi paguar gjithsej 8 miliardë e 662 milionë denarë për subvencione të ngecura dhe pagesa të rregullta ndaj bujqve – kjo është mbështetje konkrete, këto janë para te njerëzit që ushqejnë shtetin!
Kemi bërë ndryshime ligjore me të cilat kooperativat bujqësore më në fund janë njohur dhe evidentuar, me atë që e lehtësuam bashkimin e tyre dhe pjesëmarrjen në treg.
Është shpallur thirrje publike për mbështetje financiare për bashkimin ekonomik të fermave bujqësore dhe për ushtrim të përbashkët të veprimtarisë bujqësore.
Blerësit e duhanit e kanë rritur çmimin blerës nga 375 në 400 denarë për klasën e parë, ndërsa Qeveria e ka rritur subvencionin nga 80 në 100 denarë për kilogram.
Është shpallur thirrje publike për masën për ndihmë të bujqve të rinj dhe kemi pranuar 254 aplikime nga një gjeneratë e re bujqsh që dëshiron të qëndrojë këtu dhe të ndërtojë të ardhmen në atdhe.
Në vitin 2024, për herë të parë është arritur çmimi më i lartë blerës për varietetet e verës.
Këto nuk janë fjalë boshe – këto janë vepra konkrete. Këto janë të dhëna që flasin për një qasje të re, energji të re dhe vizion të qartë:
të ngremë agro-sektorin, të motivojmë të rinjtë, të rrisim besimin e bujkut.
Vizioni ynë është „maqedonase në tryezën maqedonase“.
Të krijojmë një ekonomi ushqimore që është e qëndrueshme, e orientuar drejt eksportit, por edhe e kënaqur. Të mbështesim prodhuesit vendorë, nga fshati më i vogël deri te kooperativa më e madhe.
Sot, nga ky manifestim, drejtoj një apel për të gjithë qytetarët tanë:
Bleni produkte maqedonase. Respektoni vendoren. Mbështetni përpjekjen e atyre që e mbajnë gjallë tryezën tonë.
Le të jetë ky një mision i përbashkët – mision solidariteti, patriotizmi dhe arsyetimi ekonomik.
Zoti e bekoftë Maqedoninë!