Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në intervistë për RTVM në emisionin “Një vit qeveri”, theksoi se me marrëveshjen për partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar sigurohen investime strategjike për gjeneratat e ardhshme, si ndërtimi i një hekurudhe të shpejtë, spitaleve, por bisedohet edhe për ndërtimin e hidrocentraleve Çebren dhe Galisht, të cilat janë me rëndësi të madhe nga disa aspekte.

“Me një hekurudhë ku treni i mallrave do të lëvizë me një shpejtësi mesatare prej 110 kilometra në orë, do të rritet numri i kompozicioneve që do të tranzitojnë ndërsa me kapacitetin e zgjeruar të portit në Greqi dhe me hekurudhën e shpejtë do të rritet edhe numri i kompozicioneve që do të tranzitojnë çdo ditë. E gjithë kjo në një masë të caktuar do të çojë në një rritje dhjetëfish të të ardhurave. Ky nuk është kalkulim që e bëmë sepse ashtu na është kujtuar, u ulëm me ekspertë me të cilët punuam në fushën e transportit. Kjo është ajo arsye ekonomike që qëndron pas këtij mendimi dhe kjo është strategji”, theksoi kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski theksoi se Mbretëria e Bashkuar vjen në Ballkan përmes nesh, ndërsa ne jemi një vend që nuk ka dalje në det, por kemi rëndësi gjeostrategjike pasi jemi kryqëzim i tre korridoreve evropiane, dy drejtpërdrejt dhe një tërthorazi – bëhet fjalë për Korridorin 11 ose korridori Struma nga Deti Egje deri te vendet baltike dhe kjo na jep peshë dhe ne po e shfrytëzojmë gjithë këtë dhe prandaj vendosëm për këtë projekt dhe jemi të bindur që është projekt për gjeneratat e ardhshme.

Lidhur me rezervuarët e ujit, kryeministri Mickoski theksoi se po negociohet që një pjesë e mjeteve të përdoren për ndërtimin e hidrocentraleve Çebren dhe Galisht.

" "

“Po llogarisim normën e kthimit të brendshëm dhe kohën që na nevojitet për t’i shfrytëzuar këto mjete në mënyrë që në fund të kemi fitim. Këto janë projekte strategjike për gjeneratat e ardhshme – dy rezervuarë uji, jo vetëm për pije, por edhe për ujitje për rajonin e Tikveshit i cili prodhon rrush dhe verë të shkëlqyer, që është një mundësi shumë e mirë për turizëm dhe promovimin e kuzhinës dhe verës maqedonase. Duhet të mendosh në mënyrë strategjike nëse dëshiron të bësh hapa të mëdhenj. Ne kemi menduar në mënyrë strategjike dhe kemi rritje prej 21,1% të turizmit në këto katër muaj krahasuar me të njëjtët muaj të vitit të kaluar”, tha kryeministri Mickoski.

Sa i përket temës së huamarrjes në lidhje me marrëveshjen, kryeministri Mickoski sqaroi se Maqedonia nuk ka marrë asnjë borxh dhe se nëse i shikoni të dhënat, borxhi është zvogëluar, e as nuk do të marrë hua.

“Teorikisht, edhe po të fillojmë ndërtimin nesër, fatura e parë do të vijë në vitin 2027, sa më shpejt dhe më efikas të ndërtojmë, aq më shumë do të rritet bruto produkti i brendshëm, në ndërtimtari, paratë qarkullojnë së paku tri herë, rritet ndërtimtaria, rritet prodhimi industrial, rriten shërbimet, etj. Sa më shumë që rritet PBV-ja jonë, aq më shumë do të tërhiqen mjetet – nuk do t’i tërheqim që të qëndrojnë në llogari dhe ta rrisim borxhin pa rritur PBV-në. Ju siguroj se do të kemi ulje të borxhit. Gjithçka është në mënyrë transparente, ndërsa Mbretëria e Bashkuar na garanton me rejtingun e saj kreditues”, deklaroi kryeministri Mickoski.