Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, njoftoi se propozim-ligji për përfaqësim të drejtë do të shqyrtohet në seancën e sotme qeveritare dhe më pas do t’i dërgohet për vlerësim Komisionit të Venecias, përpara se të procedohet në Kuvend.

Duke komentuar përmbajtjen e ligjit, Minçev theksoi se fokusi do të jetë te punësimi në bazë të kompetencës, cilësisë dhe profesionalizmit, e jo përkatësisë etnike.

“Ligji është përgatitur nga një grup ekspertësh, sipas parimeve kushtetuese dhe Marrëveshjes së Ohrit. Balancuesi është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, ndaj nevojitej një kornizë e re. Përfaqësimi i drejtë do të rregullohet përmes akteve nënligjore, në koordinim me rekomandimet e Komisionit të Venecias,” tha Minçev.

Ndërkohë, BDI ka reaguar ashpër, duke e cilësuar ligjin si një përpjekje për të zëvendësuar një mekanizëm të detyrueshëm dhe funksional me një strukturë joefektive dhe të mjegullt. Sipas tyre, ligji rrezikon pasqyrimin real të përbërjes etnike në administratë, dhe dobëson përfaqësimin e drejtë.