Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u takua të mërkurën në Pekin me të dërguarit diplomatikë në Kinë nga Bashkimi Evropian (BE) dhe vendet e tij anëtare.

Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, tha se, ndërsa ky vit shënon 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe BE-së, këto dy forca kryesore konstruktive në botë sot duhet të forcojnë besimin e ndërsjellë, të trajtojnë siç duhet mosmarrëveshjet, të bashkojnë pikat e tyre të forta dhe t’i ngrenë marrëdhëniet e partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-BE në një nivel të ri.

Wang paraqiti një propozim me tre pika për zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve Kinë-BE.

Së pari, të dyja palët duhet të ruajnë respektin e ndërsjellë, veçanërisht duke respektuar interesat thelbësore dhe shqetësimet kryesore të njëra-tjetrës. Wang vuri në dukje se arritja e ribashkimit të plotë kombëtar është aspirata e gjatë dhe misioni historik i kombit kinez, dhe Kina nuk do të lejojë kurrë që rajoni i Tajvanit të ndahet nga atdheu. Kina shpreson që BE-ja do të vazhdojë t’i përmbahet me vendosmëri parimit të “një Kine” dhe të kundërshtojë aktivitetet separatiste për “pavarësinë e Tajvanit” të çdo forme, theksoi ai.

Së dyti, të dyja palët duhet t’i përmbahen pozicionimit të konsoliduar të partneritetit ndërmjet tyre. Kreu i diplomacisë kineze theksoi që Kina dhe Bashkimi Evropian janë partnerë, jo rivalë, dhe sigurisht jo armiq. Nuk ka mosmarrëveshje territoriale apo konflikte gjeopolitike ndërmjet Kinës e BE-së, dhe aq më pak ndonjë përplasje themelore interesash, u shpreh Wang, duke vënë në dukje që pala kineze shpreson të punojë me BE-në për ta bërë bashkëpunimin prirjen mbizotëruese të marrëdhënieve ndërmjet dy palëve.

Së treti, të dyja palët duhet t’i përmbahen multilateralizmit. Kina mbështet fuqimisht sistemin ndërkombëtar me Kombet e Bashkuara (OKB) në thelbin e tij, rendin ndërkombëtar të mbështetur në të drejtën ndërkombëtare dhe normat themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare të bazuara në qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, tha Wang, duke shtuar që Kina mbështet me vendosmëri bisedimet paqësore dhe hedh poshtë përdorimin e forcës.

Kreu i delegacionit të BE-së në Kinë dhe të dërguarit diplomatikë të vendeve anëtare të BE-së në Kinë theksuan që pala kineze ka qenë gjithmonë një partnere e rëndësishme për BE-në.

BE-ja është e gatshme të punojë krah për krah me Kinën për të ardhmen dhe të zhvillojë marrëdhënie konstruktive e të qëndrueshme me të, të trajtojë sfidat globale, të mbështesë multilateralizmin dhe të promovojë paqen e sigurinë botërore, thanë ata.