Ministri izraelit: E dinim që do të kishim viktima pasi e sulmuam Iranin, por s’kishim zgjidhje tjetër

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, ka deklaruar se qeveria e tij e kishte parashikuar se do të kishte viktima pas sulmit të guximshëm ndaj Iranit, por se “nuk kishin zgjidhje tjetër.”
“Kur morëm këtë vendim historik, vendim të vështirë, e dinim që do të përballeshim me kohë të vështira dhe me viktima, por, duke e thënë këtë, nuk kishim zgjidhje tjetër”, tha Sa’ar në një intervistë ekskluzive për Bianna Golodryga të CNN-it të dielën.
Të paktën 14 persona janë konfirmuar të vdekur në Izrael si pasojë e sulmeve hakmarrëse të Iranit, përfshirë tre të fëmijë.
Ministri i Jashtëm tha se vlerësimet për programin bërthamor të Iranit tregonin se vendi mund të kishte prodhuar një bombë atomike “brenda gjashtë muajsh”, duke përsëritur pretendimet se Irani ka mjaftueshëm uranium të pasuruar për nëntë bomba bërthamore.
Kur u pyet nëse rrëzimi i regjimit të Iranit, të udhëhequr nga udhëheqësi suprem Ayatollah Ali Khamenei, është një nga qëllimet e Izraelit në këtë konflikt të fundit, Sa’ar tha: “Qëllimi nuk është ndërrimi i regjimit… Kjo i takon popullit iranian ta vendosë, ne, Izraeli… nuk e shohim popullin iranian si armiqtë tanë”.
Ai i falënderoi Shtetet e Bashkuara për ndihmën ushtarake, por shtoi se u takon atyre si “shtet sovran” të vendosin nëse do ta ndihmojnë drejtpërdrejt Izraelin për t’i eliminuar objektivat ushtarake të Iranit. “Ata i kanë llogaritë e tyre, dhe do të vendosin vetë”, tha ai.