Ministria e Drejtësisë: LSDM vazhdon në rrugën e shkatërrimit dhe krijimit të dezinformatave në dëm të qytetarëve

Ministria e Drejtësisë ka reaguar ndaj partisë opozitare LSDM informon Tetovasot .Sipas tyre LSDM vazhdon në rrugën e shkatërrimit dhe krijimit të dezinformatave në dëm të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Ne prisnim një qasje më konstruktive, jo për hirin tonë, por në interes të së mirës së shtetit. Por, deri më tani, përveç sabotimit në baza ditore politike, nuk kemi parë asgjë tjetër. Shpresojmë se ata do të arrijnë të kapërcejnë veten dhe, në interes të qytetarëve, do të përpiqen të jenë më bashkëpunues në të ardhmen.
Ne, si Ministri e Drejtësisë, mbetemi të përkushtuar ndaj reformave – jo në interes të individëve ose grupeve të ngushta, por sepse ua kemi borxh qytetarëve. Shpresojmë që një ditë edhe LSDM do të arrijë ta shohë këtë.
Megjithatë, vetë fakti që “udhëheqësi” i grupit të punës së LSDM-së për reformat gjyqësore është një politolog, jo një jurist, tregon padiskutim se këto janë vërejtje thjesht politike dhe demagogji boshe, dhe jo qëndrime të shëndosha ligjërisht. Puna e Ministrisë, si më parë, mbetet e hapur dhe transparente për të gjithë.
Janë pikërisht kritikat e drejtuara ndaj Ligjit për Këshillin Gjyqësor që tregojnë politikë të pastër të përditshme dhe frazeologji boshe në deklaratën e dhënë. Ligji është rezultat i një analize të plotë dhe muajsh pune profesionale, duke marrë parasysh rekomandimet e misionit të vlerësimit, komentet e Komisionit të Venedikut, të gjitha me qëllim sigurimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe mbrojtjen e sundimit të ligjit.
Gjatë punës, u morën në konsideratë komente të shumta nga partitë politike në muajt e kaluar, përfshirë ato të LSDM-së – megjithëse u dorëzuan jashtëzakonisht vonë – si dhe komente nga qytetarë të interesuar dhe ekspertë të shumtë ligjorë. Askush nuk do të lejojë marrëveshje politike dhe ndërhyrje në institucionet gjyqësore.
Lidhur me kritikat ndaj Ligjit për Prokurorinë Publike, theksojmë se të gjitha rekomandimet nga axhenda e reformës janë zbatuar në tekstin e publikuar në ENER. Përveç kësaj, Ligji, së bashku me Ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë, do t’i paraqiten për mendim Komisionit të Venedikut para finalizimit dhe përpunimit të tyre në një procedurë qeveritare.TS