Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq kanë biseduar për pretendimet lidhur me dërgesat e armëve serbe në Ukrainë, gjatë takimit të tyre në Moskë me rastin e Ditës së Fitores më 9 maj, konfirmoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Tema u prek gjatë bisedimeve”, deklaroi Peskov për agjencinë RIA Novosti, duke reaguar ndaj pyetjeve mbi mundësinë e tensionimit të mëtejshëm të marrëdhënieve për shkak të akuzave nga shërbimet ruse të inteligjencës.

Shërbimi i jashtëm i inteligjencës ruse (SVR) së fundmi e ka akuzuar sërish Serbinë se, në mënyrë indirekte, përmes kompani në Çeki dhe Bullgari, po eksporton armë për ushtrinë ukrainase. Bëhet fjalë për raketa për sisteme raketore shumëfishe dhe predha për mortaja, të cilat, sipas SVR, “vrasin ushtarë rusë dhe civilë në territoret ruse”.

Autoritetet serbe mohojnë çdo përfshirje zyrtare, por Vuçiq – pas një takimi me krerët ushtarakë – shpalli se Serbia po ndalon shitjen e armëve, pa e lidhur drejtpërdrejt vendimin me akuzat e Rusisë.

" "

Kjo çështje mbetet jashtëzakonisht e ndjeshme, veçanërisht për shkak të marrëdhënieve tradicionale të afërta midis Beogradit dhe Moskës, si dhe presionit në rritje nga Perëndimi ndaj Serbisë për të harmonizuar politikën e jashtme me BE-në.