Ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani sot është nikoqir i Ministres për Çështje Evropiane të Mbretërisë së Danimarkës, Mari Bjere, e cila për vizitë pune qëndron në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Takimi u mbajt në kuadër të përgatitjeve për kryesimin e ardhshëm danez me Këshillin e Bashkimit Evropian, e cila fillon më 1 korrik të këtij viti. Në fokusin e bisedimeve, si dhe në takimin tet-a-tet si dhe në takimin plenar të delegacioneve, ishin integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut, prioritetet e Qeverisë, marrëdhëniet bilaterale dhe zhvillimet rajonale dhe gjeopolitike.

Ministri Murtezani theksoi rëndësinë e dinamikës së ripërtërirë politike në kornizat e BE-së, e nxitur nga ndryshimi i udhëheqjes institucionale dhe rrethanat aktuale gjeopolitike, si mundësi e rikthimit në mënyrë thelbësore të politikës së zgjerimit si prioritet strategjik i Unionit. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar në rrugën evropiane, përmes zbatimit të vazhdueshëm të Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së, si dhe përmes avancimit të sundimit të së drejtës, efikasitetit të institucioneve dhe luftës kundër korrupsionit.

ads.tetovasot.com ads.tetovasot.com

Ministrja Bjere riafirmoi mbështetjen parimore të Danimarkës për politikën e zgjerimit të bazuar në meritë, duke i vlerësuar hapat reformuese të Maqedonisë së Veriut si sinjal i besueshëm për pjekuri dhe përkushtim. Ajo përshëndeti miratimin e Agjendës së Reformave 2024–2027 dhe shprehu gatishmërinë për përforcimin e bashkëpunimin bilateral dhe të ekspertëve në drejtim të përmirësimit të kapaciteteve administrative dhe transparencën e procesit reformues. Në dritën e prioriteteve të kryesimit së ardhshëm danez me Këshillin e Bashkimit Evropian, u theksua se në kushtet e realitetit kompleks gjeopolitik, prioritetet e kryesimit – siguria, konkurrenca dhe qëndrueshmëria – marrin peshë të veçantë. Ministri Murtezani përshëndeti përkushtimin e Danimarkës ndaj politikës së zgjerimit, veçanërisht drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe mbështetjen për Ukrainën dhe ruajtjen e sigurisë evropiane. Në këtë drejtim, u vlerësua se tranzicioni i gjelbër, transformimi digjital, siguria energjetike dhe inovacioni janë fusha me interes të përbashkët, ku vendet kandidate dhe shtetet anëtare mund të ndërtojnë bashkëpunim më të thellë.

Murtezani dhe Bjere shkëmbyen mendime edhe për vendimin e Bashkimit Evropian që Maqedonia e Veriut të jetë nikoqire e Takimit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor përkushtuar zbatimit të Planit të Rritjes, i cili së shpejti do të mbahet në Shkup. Bashkëbiseduesit ranë dakord që Samiti, i organizuar në partneritet me Komisionin Evropian, është mirënjohje e rolit aktiv të Maqedonisë së Veriut në procesin e strukturimit dhe zbatimit të kësaj nisme strategjike, por edhe mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe koordinimit në hapat e mëtejshme drejt afrimit me tregun e vetëm të BE-së.

Ministrat iu referuan edhe vizitave të fundit të përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian dhe, në këtë kontekst, u konkludua se është e rëndësisë thelbësore të fuqizohet besueshmëria e procesit të zgjerimit përmes mbështetjes konkrete, largpamësisë dhe angazhimit të vazhdueshëm të institucioneve dhe shteteve anëtare të Unionit, si dhe përfshirjes aktive të rajonit në ngjarjet e organizuara në kuadër të Kryesimit me Këshillin e BE-së.