(Reflektime mbi arkitekturën kulturore në Maqedoninë e Veriut)
Prof.dr Skender ASANI
Në rrjedhën e historisë moderne të Ballkanit, ka pasur një përpjekje të vazhdueshme
për të ndërtuar shtete të qëndrueshme përmes artikulimit të identiteteve kombëtare
gjithëpërfshirëse. Maqedonia e Veriut nuk bën përjashtim nga ky proces, ku formalisht
është vendosur një rend shoqëror që promovon barazinë dhe multikulturalizmin.
Megjithatë, dallimi ndërmjet realitetit të shkruar në letër dhe asaj që përjetohet në
praktikë, në veçanti për etnitë autoktone, mbetet i thellë dhe kompleks.
Në këtë ndërhapësirë mes fjalës së shkruar dhe veprimit konkret, shqiptarët vazhdojnë
të përjetojnë një formë të veçantë të përjashtimit kulturor – një proces i qetë, i heshtur,
por i vazhdueshëm që mund të karakterizohet si dekulturalizim institucional. Ky proces
nuk manifestohet përmes mohimit të drejtpërdrejtë, por përmes mungesës së
përfshirjes së barabartë, mungesës së infrastrukturës institucionale, dhe shpeshherë
përmes shtrembërimit të vetë rrëfimit historik.
Trevat shqiptare brenda kufijve aktualë të Maqedonisë së Veriut janë ndër më të
pasurat për nga trashëgimia kulturore, arkeologjike dhe historike. Këto hapësira nuk
janë thjesht vendbanime të tanishme, por dëshmi të një autoktonie të pandërprerë që
nga antikiteti. Gjuha e gurëve të lashtë, e toponimisë ilire dhe e kujtesës popullore
dëshmon për një vazhdimësi që historia nuk ka mundur ta fshijë. Shqiptarët janë një
popull për të cilin flet vetë historia – një popull që e ka ruajtur identitetin e vet kulturor
edhe në kushte kur ai nuk është njohur institucionalisht.
Megjithatë, në vend të mbështetjes për kultivimin dhe konservimin e kësaj trashëgimie,
shpesh haset e kundërta: mungesa e një muzeu të mirëfilltë të etnokulturës shqiptare,
që nuk mund të arsyeetohet me mungesë burimesh, por me mungesë vullneti
institucional. Në disa raste, ky fenomen shkon edhe më tej – drejt deformimit, mohimit
apo edhe përvetësimit të trashëgimisë materiale shqiptare, veçanërisht asaj me rrënjë
ilire dhe arbërore. Ky trajtim selektiv i historisë është jo vetëm problematik nga
këndvështrimi kulturor, por rrezikon edhe harmoninë shoqërore.
Ministria e Kulturës, si institucion kyç në ndërtimin e narrativës shtetërore, shpeshherë
nuk arrin të përfshijë identitetin kulturor shqiptar si pjesë të mozaikut të përbashkët.
Përfaqësimi shqiptar në këtë institucion është minimal dhe shpesh vetëm simbolik.
Projektet kulturore shqiptare financohen në mënyrë të pasigurt dhe të pakontrolluar, pa
strategji afatgjatë dhe jashtë një kornize të konsoliduar shtetërore. Kjo mungesë e
barazisë në qasje ndikon drejtpërdrejt në ndërtimin e një kujtese kolektive
gjithëpërfshirëse.
Ironikisht, Marrëveshja e Ohrit, dokumenti që duhej të shënonte një epokë të re të
bashkëjetesës ndëretnike, përmban në thelbin e saj parimin e mbrojtjes dhe kultivimit të
trashëgimisë kulturore të komuniteteve, përfshirë shqiptarët. Ky parim, i garantuar nga
bashkësia ndërkombëtare, është konceptuar si një element stabiliteti dhe respekti të
ndërsjellë. Sepse vetëm kur gjuha, historia dhe trashëgimia e një komuniteti trajtohen
me dinjitet dhe përfshirje, mund të ndërtohet një shtet që gëzon besimin dhe lojalitetin e
të gjithëve.
Për fat të keq, praktikisht ndodh e kundërta. Shqiptarët janë të përjashtuar jo vetëm nga
politikat kulturore, por edhe nga vetë infrastruktura e nevojshme për ruajtjen dhe
zhvillimin e trashëgimisë së tyre. Ata janë nën-përfaqësuar në buxhetet shtetërore për
kulturën, në vendimmarrje dhe në planifikimet strategjike për ndërtimin e identitetit
shtetëror. Kjo nuk është më thjesht neglizhencë – është një formë e sofistikuar e
etnocidit institucional, që godet thellësisht në themelin shpirtëror të një komuniteti.
Në anën tjetër, përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm në institucionet shtetërore. Edhe
vetë subjektet politike shqiptare, në mbi tre dekada të pjesëmarrjes së tyre në jetën
parlamentare dhe qeverisëse, nuk kanë arritur të artikulojnë dhe zbatojnë një strategji të
qëndrueshme për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare në mënyrë institucionale.
Fragmentimi politik, fokusimi në çështje të përkohshme dhe mungesa e një vizioni
afatgjatë kanë bërë që edhe kërkesat legjitime të mbeten të paadresuara.
Përballë këtij sfondi të ndërlikuar, është e domosdoshme që të artikulohet një vizion i ri
dhe një strategji e qëndrueshme që vendos kulturën shqiptare në thelb të ndërtimit të
një shtetësie gjithëpërfshirëse. Kjo kërkon jo vetëm përfaqësim real në institucionet e
kulturës dhe përkrahje të barabartë buxhetore, por edhe themelimin e strukturave të
posaçme që sigurojnë konservimin, promovimin dhe dokumentimin e trashëgimisë
shqiptare. Është koha që të kalohet nga hijet e kujtesës drejt dritës së shtetformimit – ku
çdo komunitet, përfshirë shqiptarët, e ndjen veten pjesë të barabartë dhe të nderuar të
mozaikut të përbashkët të identitetit shtetëror.
Shkup, 02 qershor 2025