Në fund të çdo dite, ndërsa bie në gjumë dhe mendon se më në fund je vetëm me mendimet e tua, realiteti biologjik është pak më ndryshe, në të vërtetë, nuk je kurrë plotësisht vetëm. Në sipërfaqen e lëkurës tënde, duke zvarritur të padukshme e të heshtura, jetojnë dhjetëra krijesa mikroskopike me tetë këmbë, të quajtura marimangat Demodex.

Këta jovertebrorë të vegjël janë banorë të përhershëm të lëkurës njerëzore, sidomos në fytyrë, dhe përkundër faktit që nuk mund t’i shohësh apo ndjesh, ato janë aty, duke jetuar në thellësi të poreve dhe folikulave të qimeve. Me një gjatësi nga 0.15 deri në 0.4 milimetra, këto krijesa të padukshme ushqehen me yndyrën natyrale të lëkurës, e njohur si sebum.

“Ndërsa ne flemë, ato dalin jashtë poreve dhe janë shumë të lumtura, çiftëzohen, vizitojnë njëra-tjetrën, dhe ecin lart e poshtë nëpër fytyrat tona,” thotë Alejandra Perotti, profesoreshë e biologjisë së jovertebrorëve në Universitetin e Reading në Angli. “Në momentin që zgjohemi, ato kthehen menjëherë brenda.”

Në vend që të na trembin, Perotti thekson se këto krijesa nuk janë armiqtë tanë. Përkundrazi, shumica e njerëzve nuk janë as të vetëdijshëm për praninë e tyre, dhe kjo është në rregull. Në fakt, Demodex ndihmojnë në pastrimin e papastërtive dhe tepricës së yndyrës nga poret tona. Ne, në këmbim, u ofrojmë një shtëpi të rehatshme dhe, për ironi, edhe hormonin tonë të gjumit, melatoninën, që për marimangat shërben si energji jetike.

Dita është armiku i tyre. Ashtu si vampirët, Demodex janë të ndjeshme ndaj rrezeve ultraviolet, të cilat mund të dëmtojnë ADN-në e tyre. Prandaj, qëndrojnë të fshehura gjatë ditës dhe dalin vetëm natën, kur lëkura është më e qetë, e lëshuar, dhe gati për vizitat e tyre mikroskopike.

Një centimetër katror i lëkurës së fytyrës mund të strehojë deri në pesë marimanga, dhe kjo është vetëm në pamje të jashtme. Brenda poreve, numri mund të jetë edhe më i lartë.

Për shumicën e njerëzve, marimangat janë të padëmshme. Por në raste të caktuara, sidomos kur sistemi imunitar dobësohet, ato mund të shumëzohen në mënyrë të pakontrolluar, duke shkaktuar një gjendje të njohur si demodikozë.

Kjo mund të manifestohet përmes problemeve të lëkurës si rosacea, akne, skuqje, thatësi dhe acarim në zonat me prodhim të lartë të yndyrës, fytyra, balli, qepallat dhe rreth hundës.

Sipas Dr. Richard Locksley nga Universiteti i Kalifornisë, individët më të rrezikuar janë të moshuarit dhe ata që i nënshtrohen kimioterapisë, pasi mbrojtja imunitare e tyre është më e ulët. Ai thotë se ende nuk është e qartë pse disa njerëz reagojnë me inflamacion ndaj Demodex-it, ndërsa të tjerët bashkëjetojnë pa probleme. Por ekziston një teori që sugjeron se zhvendosja e njerëzimit në ambiente më sterile dhe ndryshimet në sistemin imunitar mund të kenë ndikuar.

Diagnoza nuk është gjithmonë e lehtë. Dermatologët zakonisht përdorin shirita ngjitës për të marrë mostra nga lëkura ose e kruajnë lehtësisht atë, për ta analizuar nën mikroskop. Nëse keni infeksione të përsëritura në qepalla ose ndjesi kruarje e thatësie në sy, një optometrist mund të vërejë mbetje të vezëve të Demodex-it rreth qerpikëve, një shenjë e qartë e pranisë së tyre.

Në raste të tilla, trajtimi përfshin përdorimin e ivermektinës në formë topike ose orale, ndërsa për inflamacionin në sy, janë zhvilluar edhe pika speciale që janë miratuar së fundmi nga FDA në SHBA.

Sipas ekspertëve, për shumicën e njerëzve të shëndetshëm, nuk ka arsye për panik. Gjëja më e rëndësishme është të mbani një rutinë të mirë higjiene, sidomos para gjumit. Pastroni fytyrën me një larës të butë, shmangni mbajtjen e grimit gjatë natës dhe kujdesuni për pastërtinë e qerpikëve. Nëse keni lëkurë të prirur ndaj akneve, përdorimi i një retinoidi një ose dy herë në javë mund të ndihmojë në ruajtjen e balancës së yndyrës.

Gjumi i mirë luan gjithashtu rol të rëndësishëm. Mungesa e tij mund të rrisë prodhimin e sebumit, duke krijuar kushte ideale për mbipopullim të Demodex-it.

Studimet e fundit sugjerojnë se marimangat Demodex mund të jenë në rrugën e zhdukjes. Sipas Alejandra Perotti, këto krijesa po përjetojnë një ‘vdekje evolucionare afatgjatë’. Meqë jetojnë në një habitat të mbrojtur, pa grabitqarë apo kërcënime të jashtme, ato nuk përballen me presione selektive që t’i detyrojnë të evoluojnë. Kjo çon në humbje të gjeneve me kalimin e kohës, një fenomen i njohur si erozion i gjenomit.

Këto marimanga, që kalohen nga nëna tek foshnja menjëherë pas lindjes, kanë shumë pak diversitet gjenetik. Meqë shumica e popullatave janë të ngushta brenda familjeve njerëzore, zhdukja e tyre mund të jetë vetëm çështje kohe. Por, sipas Perotti-t, nuk duhet të nxitojmë ta konsiderojmë këtë një fitore.

“Ka pasur shumë paragjykime ndaj marimangave ndër vite,” thotë ajo. “Por në shumë raste, nuk janë ato problemi, është sistemi ynë imunitar që dështon. Në vend që t’i shohim si kërcënim, ndoshta është koha t’i pranojmë si shoqërues të heshtur, por të dobishëm.”

Në një botë gjithnjë e më sterile dhe të kontrolluar, këto krijesa të padukshme mbeten një kujtesë e gjallë se natyra jeton mbi ne, brenda nesh, dhe në shumë mënyra, falë tyre, lëkura jonë merr frymë më mirë, edhe kur ne jemi në gjumë. Syri.net-CNN