Në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës u promovua numri i 7-të i revistës studentore “Përtej”

Në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës, më 11 qershor 2025, u
promovua numri i 7-të i revistës studentore “Përtej”, botim i studentëve të programit
studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.
Kryeredaktorja e kësaj reviste Altina Sulejmani në fjalën e saj para
pjesëmarrësve në këtë promovim u shpreh se ky numër i ri sjell përmbajtje të pasura
me rubrika të ndryshme si “Nën thjerrëz”, “Ura”, “Kënga e hapur”, “Intervistë”,
“Portret” dhe të tjera, që trajtojnë tema me rëndësi kulturore, gjuhësore dhe letrare
nga perspektiva e brezit të ri. Ajo më tej tha se revista mbetet një dritare e hapur për
të gjithë studentët që dëshirojnë të shkruajnë, të hulumtojnë dhe të sfidojnë veten
përmes krijimtarisë. Në qendër të këtij botimi është një intervistë me shkrimtarin dhe
përkthyesin Besnik Mustafaj, i cili rrëfen përvojën e tij letrare dhe raportin me të
shkruarit. Ndërkohë, rubrika “Portret” i kushtohej Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, një
figurë e shquar e gjuhësisë shqiptare, i cili me kontributin e tij ka lënë gjurmë të
thella në studimin dhe mësimdhënien e gjuhës shqipe. Një tjetër moment i veçantë
ishte nderimi i kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare, me rastin e njëvjetorit të
ndarjes së tij nga jeta. Sipas Altina Sulejmanit revista i kushtoi atij rubrikën
“Përshpirtje”, duke nënvizuar se vepra dhe ndikimi i tij do të mbeten gjithmonë të
gjalla mes nesh.
Në promovimin e revistës “Përtej” fjalë përshëndetëse mbajti edhe dekani i
Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani, i cili theksoi rëndësinë e kësaj
reviste si dëshmi e vazhdimësisë shpirtërore të krijuesve të rinj dhe një hapësirë e lirë
për mendimin dhe shprehjen studentore. Ai u bëri thirrje studentëve të vazhdojnë të
shkruajnë, duke e konsideruar fjalën e tyre si të ardhmen e letrave shqipe. Ndërsa
shefja e programit studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakulteti Filologjik
Albulena Dehari i përgëzoi studentët për punën që kanë bërë dhe njëherit shprehu
konsideratë dhe mirënjohje për të gjithë studentët që kanë kontribuar në këtë revistë
ndër vite, që nga numri i parë i botuar në vitin 2013 e deri te ky i fundit.
Në kuadër të këtij promovimi Prof. Dr. Vjollca Berisha në pika të shkurtëra
foli për Kadarenë dhe krijimtarinë e tij si dhe vendin e tij në letërsi.
Promovimi u realizua me mbështetjen e Parlamentit Studentor, i cili ndihmoi
financiarisht nxjerrjen në dritë të këtij botimi, duke garantuar vazhdimësinë e një
platforme të rëndësishme për zhvillimin kulturor dhe intelektual të të rinjve.