Në Universitetin e Tetovës, përkatësisht në Fakultetin Pedagogjik u promovua libri “Zhvillimet aktuale në edukim dhe arsim”. Ky libër përmban përmbledhje punimesh nga konferenca e organizuar nga Shoqata e Pedagogëve të Tetovës, që kanë të bëjnë me problemet aktuale në arsim.
Në emër të Fakultetit Pedagogjik foli dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi. Ai tha se ky botim përfaqëson më shumë se një libër. Ai është një pasqyrë reale e sfidave që përjeton arsimi në vendin tonë dhe një dëshmi e përpjekjeve tona të përbashkëta për të reflektuar, analizuar dhe ofruar zgjidhje. “Çështjet që lidhen me pjesëmarrjen e mësuesve në reformat arsimore, ndikimin e rrjeteve sociale, mbingarkesën e nxënësve, edukimin e të rriturve, e deri te arsimi inkluziv, bashkëpunimi me familjen dhe dominimi i politikës në këtë fushë – të gjitha këto trajtohen me seriozitet shkencor dhe me përkushtim profesional. Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës mbetet i përkushtuar në mbështetjen e iniciativave të tilla dhe në ndërtimin e një partneriteti të fortë ndërmjet botës akademike dhe praktikës arsimore.” – tha mes tjerash dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.
Pedagogu i mirënjohur, Prof. Dr. Xheladin Murati në fjalën e tij bëri një përmbledhje të përmbajtjes së librit, duke elaboruar mbi kumtesat e studiuesve, të cilat përfshijnë aktualitetin në arsim dhe bashkëkohësimin e procesit edukativ – arsimor. Sipas tij trajtimi i problemeve arsimore dhe edukative është nevojë shumë e natyrshme e shoqërisë dhe e pedagogëve, psikologëve dhe sociologëve që punojnë e veprojnë nëpër shkolla. “Arsimi dhe praktika shkollore ofron mundësinë e hulumtimit të rrethit e të vetvetes në shkollë, resurseve profesionale, krijimin e mundësive të reja, promovimin e punës mësimore bashkëkohore dhe zhvillimin e aspekteve të ndryshme të arsimit, si ato teorike ashtu edhe ato profesionale.” – tha mes tjerash Prof. Dr. Xheladin Murati.
Kryetari i Shoqatës së Pedagogëve Shqiptarë të Tetovës, Naim Kurtishi u shpreh se ky botim është rezultat i përkushtimit të shumë anëtarëve të Shoqatës, pedagogë me përvojë dhe angazhim të vazhdueshëm, të cilët kanë ofruar kumtesa me vlera teorike dhe praktike, që pasqyrojnë problematikat, sfidat, por edhe mundësitë për përmirësimin e arsimit në vendin tonë.
“Nëpërmjet këtij libri, ne nuk kemi bërë vetëm një përmbledhje të gjendjes aktuale, por kemi ofruar një pasqyrë të thelluar të dinamikave që formësojnë sistemin tonë arsimor, nga niveli fillor deri në atë të mesëm. Kemi paraqitur analiza të mirëfillta të politikave arsimore, metodave didaktike, sfidave të mësimdhënësve dhe zhvillimeve që prekin cilësinë e edukimit në tërësi.” – tha ndër të tjera kryetari i Shoqatës së Pedagogëve Shqiptarë të Tetovës, Naim Kurtishi.
Ky libër është një dëshmi e angazhimit kolektiv për të forcuar themelet e arsimit në vendin tonë dhe për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për gjeneratat që vijnë. Shoqata e Pedagogëve vazhdon të mbetet një urë e fuqishme lidhëse mes praktikës mësimore dhe zhvillimit akademik.

ads.tetovasot.com ads.tetovasot.com