Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit nga 1 qershori është lidhur me edhe tre qytete të tjera në Turqi. Kompania ajrore AJet filloi fundjavën e kaluar fluturimet drejt Ankarasë, Çukurovës dhe Dijarbakirit, tre destinacione të reja për pushime, njoftoi operatori i aeroportit TAV Maqedoni.
Fluturimet sezonale nga Shkupi drejt Ankarasë dhe Dijarbakirit do të realizohen një herë në javë, ndërsa fluturimet e AJet drejt aeroportit Çukurova do të jenë dy herë në javë. Fluturimet do të zhvillohen nga 1 qershori deri në fund të shtatorit të këtij viti.
– “Lidhja direkte e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit me tre destinacionet e reja në Turqi ka rëndësi të madhe nga disa aspekte, sepse çdo rajon sjell përfitime të ndryshme. Lidhja e dy kryeqyteteve, Shkupit dhe Ankarasë, do të kontribuojë në rritjen e shkëmbimit tregtar, logjistikë të shpejtë biznesi mes Maqedonisë dhe Turqisë, qasje të lehtë në tregun turk, mobilitet biznesi, shkëmbime turistike e kulturore, bashkëpunim akademik, si dhe forcim të marrëdhënieve politike dhe diplomatike,” deklaroi Nejat Kurt, drejtor i përgjithshëm i TAV Maqedoni.
Lidhja ajrore e Shkupit me Çukurovën dhe Dijarbakirin gjithashtu do të sjellë përfitime të rëndësishme strategjike, ekonomike, turistike dhe kulturore për vendin, thonë nga TAV Maqedoni.
– “Çukurova është një rajon i madh pjellor që përfshin Adanën, një qendër industriale dhe bujqësore, dhe Mersinin, një destinacion turistik në rivierën mesdhetare të Turqisë. E rëndësishme është gjithashtu që në Maqedoni ka një popullatë të madhe me prejardhje nga këto dy zona, prandaj lidhja ajrore do të lehtësojë komunikimin dhe mbajtjen e lidhjeve familjare,” theksojnë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit.
Me këto tre destinacione të reja, kompania AJet nga Aeroporti i Shkupit do të ofrojë gjithsej 4 destinacione, përfshirë linjën ekzistuese drejt Stambollit (aeroporti Sabiha Gökçen).
Gjatë sezonit veror 2025, gjithsej katër kompani ajrore realizojnë fluturime mes Turqisë dhe Maqedonisë, duke lidhur 6 qytete dhe 7 aeroporte turke. Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe Aeroporti “Shën Apostull Pali” në Ohër, Turkish Airlines fluturon drejt Stambollit (aeroporti IGA); Pegasus Airlines fluturon nga Shkupi drejt Stambollit (Sabiha Gökçen), Izmirit dhe Antalias; AJet gjithashtu fluturon nga Shkupi drejt Stambollit (Sabiha Gökçen); ndërsa Sun Express fluturon nga Shkupi drejt Antalias dhe Izmirit.