Shtatë vite më parë, Marrëveshja e Prespës shënoi një kthesë historike për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ishte një akt vizioni dhe guximi shtetëror, që jo vetëm hapi rrugën për anëtarësim në NATO, por e vendosi vendin në anën e duhur të historisë , në zemër të komunitetit euroatlantik.

Prespa e shndërroi shtetin në shembull rajonal për zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara përmes diplomacisë, dhe e vendosi Shkupin si platformë për dialog dhe stabilitet në tërë Ballkanin.

Por sot, shtatë vite më vonë, po e shohim zhvlerësimin më të rëndë të atij kapitali.

Qeveria, e cila duhet të jetë garant i orientimit euroatlantik të vendit, po shndërrohet në një kërcënim nga brenda.

Narrativat ruse mbrohen nga funksionarë qeveritarë, votohet kundër Ukrainës, Dodik pritet si mysafir nderi, ndërsa Marrëveshja e Ohrit tash një vit është objekt i një agresioni sistematik.

Perspektiva evropiane është ngrirë, qytetarët janë të demotivuar dhe të zhgënjyer, mijëra po e braktisin vendin apo kërkojnë rrugë drejt Evropës përmes pasaportave të tjera, ndërkohë që fqinjët ecin përpara në proceset integruese.

ads.tetovasot.com ads.tetovasot.com

BDI u bën thirrje të gjithë faktorëve politikë dhe shoqërorë të mos lejojnë që këto arritje të fituara me vështirësi të fshihen.

Prespa dhe Marrëveshja e Ohrit nuk ishin vetëm kompromise, ishin një zgjedhje për të ardhmen.

E sot, sërish duhet të zgjedhim:

A do të lejojmë që kjo gjeneratë të jetë gjenerata e mohimit, apo do të bëhemi zëri që mbron të ardhmen evropiane?

Veçanërisht shqetësuese është roli i mbetjeve të VLEN-it, të cilët i tradhtuan vlerat themelore që i kanë përfaqësuar shqiptarët për dekada, vlera të evropianizimit, të barazisë dhe të pjekurisë demokratike.

Në vend që të jenë zëri i përparimit, ata u shndërruan në një mjet manipulimi, duke legjitimuar politika që në thelb e rrënojnë orientimin pro-evropian të shtetit.

Doli në pah natyra e vërtetë e këtyre strukturave politike: ato nuk janë forca evropiane, janë lojtarë të përkohshëm në shërbim të agjendave anti-evropiane.