Ish-zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Philip Reeker, ka thënë se është një turp i vërtet ajo që po ndodh aktualisht në Kosovë, ku partitë politike s’po arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët për të zgjedhur institucionet e reja të vendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Reeker ka thënë se njerëzit e Kosovës meritojnë më mirë dhe duhet të gjendet një zgjidhje për të pasur institucione të reja, qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe raporte të mira me fqinjët.

“Njerëzit e Kosovës meritojnë më shumë se aq. Ne e kemi përkrahur Kosovën dhe kemi bërë përpjekje për gjetje të zgjidhjeve paqësore. Njerëzit meritojnë më mirë, ata duhet të gjejnë zgjidhje për të pasur qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe për të pasur raporte të mira me fqinjët në rajon dhe për të lëvizur përpara”, ka thënë ai për Kosovo Online.

Ai ka folur edhe dje në “Forumin Pupin” të organizuar në Beograd për qasjen e SHBA-së ndaj Evropës dhe ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor pas rikthimit të Donald Trump për herë të dytë si president në Shtëpinë e Bardhë.

Reeker ka thënë se viti 2025 është një vit tranzicioni dhe se Washingtoni s’do të merret me rajonin dhe Ballkanin Perëndimor siç kishte ndodhur në vitet e 90-ta, kur kjo pjesë e Evropës kishte qenë në qendër të fokusit dhe në krye të agjendës së politikës së jashtme amerikane.

Diplomati amerikan ka thënë se duhet kuptuar këtë periudhë kohore që nis nga viti 2025 si një moment tranzicioni. Ai ka thënë tutje se SHBA nuk do të shihet duke u angazhuar direkt në rajon, siç ka ndodhur përgjatë 30 viteve të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“2025 ngjanë shumë me 1999, disa thonë se ngjanë me 1973 sa i përket ndryshimit se si SHBA e shikon botën. Dhe ju s’do ta shikoni SHBA-në si të angazhuar direkt, siç ka ndodhur për këto 30 vite në rajon”, ka thënë Reeker.

Reeker ka thënë se duke qenë se punon në Uashington, nga kontaktet që ka brenda Departamentit të Shtetit dhe në Administratë, SHBA s’është e fokusuar as në Evropë dhe as në Ballkan.

“Unë jam I vendosur në Uashington dhe kam kontakte brenda Departamentit të Shtetit, në administratë dhe jashtë saj. Ata s’janë të fokusuar në Evropë, ata s’janë të fokusuar në Ballkan. Kjo s’do të thotë që ata s’do të angazhohen apo që s’do të kenë Ambasada dhe diplomatë aktive që merren me diplomaci dhe çështje ekonomike”, ka thënë tutje Reeker./Express