Miliarderi amerikan dhe shefi i korporatës Tesla, Elon Musk, ka shkruar në rrjetin social X, se presidenti amerikan, Donald Trump, s’do t’i kishte fituar asnjëherë zgjedhjet pa mbështetjen e tij, ka raportuar “The Guardian”.
“Pa mua, Trumpi do t’i kishte humbur zgjedhjet, demokratët do ta kontrollin Dhomën e Përfaqësuesve dhe Republikanët do të ishin 51-49 në Senat”, ka thënë Musk.
Ai i ka cilësuar deklaratat më të fundit të Trumpit si “mosmirënjohëse”.
Këto komente janë bërë pasi Trumpi u shpreh para gazetarëve gjatë takimit me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, se është “shumë i zhgënjyer” me Musk dhe se nuk ishte më i sigurt nëse raportet me të do të vazhdonin.
“Dëgjo, unë dhe Eloni kishim një marrëdhënie të shkëlqyer. Nuk e di nëse do të kemi më”, ka thënë ai.
Përçarja mes të dyve është si rezultat i kritikave të Musk për projektligjin rreth taksave dhe shpenzimeve të administratës Trump, të cilin e kishte cilësuar si “një gjë e neveritshme”.
Të enjten, Trump kishte thënë se Musk e njihte projektligjin më mirë se kushdo tjetër në administratën e tij, pretendim të cilin Musk e kundërshtoi, duke e vlerësuar si “të rremë”.
Musk kishte shpenzuar rreth 300 milionë dollarë në mbështetje të fushatës presidenciale të Trumpit dhe të republikanëve të tjerë vitin e kaluar.