Edhe pse jetesa në Zvicër sjell shumë përfitime – nga natyra e mrekullueshme deri te ekonomia e fortë dhe vendet e sigurta të punës – rruga drejt nënshtetësisë nuk është gjithmonë e thjeshtë.
Është zbuluar se një nga kriteret për marrjen e shtetësisë zvicerane mund të jetë edhe – tërheqja.
Nëse popullata lokale vlerëson se kandidati nuk është “mjaftueshëm i integruar” apo thjesht është “tepër i zëshëm”, aplikimi për nënshtetësi mund të refuzohet, pavarësisht përmbushjes së kushteve formale, raporton Daily Mail.
Holandezja që u refuzua dy herë
Nancy Holten, një grua e lindur në Holandë që ka jetuar për vite me radhë në Zvicër, e përjetoi këtë praktikë të pazakontë nga afër.
Edhe pse i kishte përmbushur të gjitha kushtet ligjore për të marrë nënshtetësinë, kërkesa e saj u refuzua dy herë sepse komuniteti lokal e konsideronte si problematike.
Arsyeja? Qëndrimet e saj publike kundër disa traditave zvicerane. Nancy nisi një fushatë kundër zileve të lopëve, duke i quajtur shumë të zhurmshme dhe të ashpra për kafshët.
Ajo gjithashtu kritikoi garat me derra, zilet e kishave dhe gjithçka që, sipas saj, përbënte burim të panevojshëm zhurme apo vuajtjeje për kafshët.
“Doja vetëm të angazhohesha për mbrojtjen e kafshëve. Nuk kuptova se këto gjëra janë traditë për shumë njerëz. Tani e kuptoj,” tha ajo në një intervistë për Swiss Info.
Për shkak të këtyre deklaratave, komuniteti lokal vlerësoi se Nancy “nuk përshtatet me stilin e jetesës zvicerane” dhe kërkesa e saj u refuzua.
Më vonë, rasti i saj u rishqyrtua nga autoritetet më të larta, të cilat vendosën se nuk kishte bazë ligjore për refuzimin, dhe në fund ajo mori shtetësinë zvicerane.