Deklarata e fundit e ministrit të Administratës Publike, Goran Minçev, se “nuk do të ketë më punësim në bazë etnie” dhe se ligji i ri për përfaqësim të drejtë do të fokusohet vetëm në “kompetencë dhe profesionalizëm”, nuk është një reformë, por një alarm. Në një shtet si Maqedonia e Veriut, ku përfaqësimi etnik nuk është thjesht statistikë, por një çështje paqeje dhe barazie, ky ligj përfaqëson një kthesë të rrezikshme drejt përjashtimit sistematik të shqiptarëve nga institucionet.
“Ligji është përgatitur nga një grup ekspertësh, sipas parimeve kushtetuese dhe Marrëveshjes së Ohrit. Balancuesi është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, ndaj nevojitej një kornizë e re. Përfaqësimi i drejtë do të rregullohet përmes akteve nënligjore, në koordinim me rekomandimet e Komisionit të Venecias,” tha Minçev.
Heqja e balancuesit – mekanizmit që garantonte matjen dhe korrigjimin e përfaqësimit të drejtë etnik në administratë – është vendimi më i rëndë që është marrë në vitet e fundit në raport me barazinë ndëretnike. Dhe, fatkeqësisht, ky vendim nuk është marrë vetëm nga Qeveria Mickoski, por me bekimin e heshtur të partnerit shqiptar në pushtet: VLEN.
Kjo qeveri, e cila premtoi “ndryshim”, po e ndryshon shtetin vetëm në një drejtim: duke e spastruar nga shqiptarët. Tashmë, nuk ka asnjë garanci ligjore që shqiptarët do të kenë vendin që u takon në institucione. Gjithçka do të varet nga vlerësime “profesionale”, të cilat në realitet do të kontrollohen nga administrata e partive maqedonase.
Me këtë veprim, shqiptarët degradohen në statusin e qytetarëve të dorës së dytë. E drejta e tyre për të qenë pjesë aktive e shtetit zëvendësohet me një retorikë boshe për “meritokraci”, në një sistem ku vetë kriteret për meritë përcaktohen nga ata që kontrollojnë shtetin – e që gjithnjë e më shumë janë të njëanshëm etnikisht.
Akoma më shqetësuese është heshtja e zyrtarëve shqiptarë në qeveri, të cilët po sillen si administratorë të urdhrave të partive maqedonase, e jo si mbrojtës të interesave të komunitetit që i votoi. VLEN, që hyri në qeveri me premtimin për të qenë “zëri i shqiptarëve”, po shndërrohet në vegël e zbehjes së atij zëri. Dhe kjo është tradhti politike, historike dhe morale.
Ky ligj nuk është thjesht një problem ligjor, por një çështje kombëtare. Zhbërja e përfaqësimit të drejtë është zhbërje e Marrëveshjes së Ohrit dhe e paqes së brishtë mbi të cilën ndërtohet bashkëjetesa në këtë vend. Nëse shqiptarët nuk reagojnë tani, rrezikojnë të zgjohen në një shtet ku nuk do të kenë më zë, as ndikim, e as të ardhme.