Biznesmeni dhe veprimtari i njohur strugan, Mendi Qyra, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën si i pavarur për kryetar të Komunës së Strugës. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ai para qytetarëve dhe mbështetësve, theksoi se kandidimi i tij nuk është për pushtet, por për shërbim dhe përkushtim ndaj qytetit.

“Sot zyrtarisht e shpall kandidaturën time si i pavarur për kryetar të Komunës së Strugës. Nuk është një hap që e kam ndërmarrë kokë më vete, por është një vendim që më është kërkuar për çdo ditë,” u shpreh Qyra, duke përmendur kërkesat e bizneseve, të rinjve dhe qytetarëve të zakonshëm për të marrë përgjegjësinë për drejtimin e qytetit.

Ai theksoi se Struga nuk ka nevojë për heronj, por për një qeverisje të ndershme, me vizion ekonomik, zhvillim të qëndrueshëm dhe infrastrukturë moderne, si dhe për përfaqësim të drejtë e dialog të hapur me qytetarët.

“Kandidatura nuk është luftë kundër askujt. Është një thirrje për bashkim për të gjithë ata që ndajnë ëndrrën për një Strugë më të drejtë dhe më të zhvilluar,” deklaroi ai.

Në fund, Qyra u bëri thirrje të gjithë grupeve shoqërore, qytetarëve dhe partive që besojnë në të ardhmen e Strugës të bashkohen në këtë përpjekje:
“Zoti e bekoftë Strugën dhe të gjithë qytetarët e saj!”

Mendi Qyra hyn në garë me mesazhin e bashkimit dhe ndryshimit. A do të jetë kjo kandidatura që do të trazojë status-quon politike në Strugë?