Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ftuar subjektet politike për një takim të mërkurën, për t’u konsultuar rreth datës së zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur në tetor të vitit 2021. Diskutimet për zgjedhjet lokale bëhen në kohën kur Kosova ende nuk ka Qeveri të re, si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit, ndonëse zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt të këtij viti.
Më 2 qershor Kuvendi ka dështuar që të konstituohet për të 25-ën herë. Lëvizja Vetëvendosje, që ka fituar më së shumti vota në zgjedhje dhe partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, nuk kanë arritur pajtueshmëri për mënyrën e votimit për kreun e ri të parlamentit, dhe për propozimin e Vetëvendosjes për këtë pozitë, Albulena Haxhiun, duke e konsideruar figurë përçarëse.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.