Partitë politike konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin me Kurtin – Haradinaj nuk shkon, përfaqësohet nga Time Kadriaj

Paritë politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili do të mbahet të shtunën në orën 16:00.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përmes deputetes Hykmete Bajrami, ka konfirmuar pjesëmarrjen, pavarësisht siç tha ajo, mungesës së bashkëpunimit nga Vetëvendosje. LDK-ja do të marrë pjesën në takimin me Kurtin, pavarësisht se siç thanë ata ky takim është thirrur për “show mediatik”.
“LDK do të marrë pjesë nesër në takim pavarësisht mungesës së bashkëpunimit të VV. Nuk është se mund të presim diçka nga ky takim, është më shumë për shou mediatik”, ka thënë Bajrami në konferencë pas ndërpres së seancës konstituive.
E zëdhënësi i partisë, Besian Mustafa nuk ka treguar nëse në takim do të marrë pjesë Abdixhiku personalisht, apo do të dërgojë një përfaqësues.
“LDK do të marrë pjesë në takim, për detajet tjera do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Mustafa për Reporteri.net.
Pjesëmarrjen në takimin me Kurtin e kanë konfirmuar nga PDK. Kjo është bërë e ditur nga deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda. “Kryetari jonë z.Krasniqi e përfaqëson partinë nesër në takim dhe qëndrimet që dalin pas atij takimi i shpreh kryetari”, tha Gruda.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po ashtu ka konfirmuar pjesëmarrjen. Megjithatë, këtë parti nuk do ta përfaqësojë kryetari Ramush Haradinaj. Nga AAK kanë konfirmuar për gazetën online Reporteri.net se në takim do të shkojë deputetja, Time Kadrijaj.
NISMA Socialdemokrate gjithashtu ka konfirmuar pjesëmarrjen përmes liderit Fatmir Limaj, i cili tha shkurt: “Sigurisht që po”.
Takimi është thirrur pasi Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë. Ftesën për partitë politike, e bëri të ditur vetë kryeministri në detyrë dhe kreu i VV-së, Albin Kurti.
Kurti ka shkruar se aktgjykimi i Kushtetueses thekson qartë se konsituimi i Kuvendit është obligim i të gjithë partive, dhe jo vetëm i subjektit të parë.
“Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, ka shkruar Kurti.
Ditën e sotme, deputetët u pajtuan që ta shtyjnë seancën konstituive për të dielën, 29 qershor, në pritje të një takimi të liderit të LVV-së, Albin Kurti, me krerët e partive të tjera parlamentare dhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. /Reporteri.net/