Pas problemeve me ndërtime pa leje dhe kaos urbanistik në Çair, duket se edhe Tetova po përballet me një situatë të ngjashme. Mbrëmë, disa qytetarë nga një lagje e Tetovës njoftuan policinë, pasi dikush kishte hapur një gropë ndërtimi pranë ndërtesave të tyre. Ata dyshojnë se në atë vend po ndërtohet një objekt i ri shumëkatësh, i cili do t’i bllokojë tërësisht hyrjet dhe rrugët përreth banesave ekzistuese.
Banorët për TS u shprehen të shqetësuar se në rast të ndonjë fatkeqësie, si zjarr apo emergjencë mjekësore, ndihma nuk do të mund të arrijë deri te ndërtesat e tyre, pasi rruga është e bllokuar. Sipas tyre, askush nuk e di se kush po ndërton, çfarë po ndërtohet, dhe nëse objekti ka leje ndërtimi apo jo.
Përgjegjësinë, banorët ia hedhin Komunës së Tetovës dhe kërkojnë sqarim se si është e mundur që dikush të ndërtojë pa plan urbanistik dhe pa leje të qarta. Ata kanë paralajmëruar se do të kërkojnë përgjegjësi nga kryetari i komunës, Bilall Kasami, dhe nuk përjashtojnë mundësinë e radikalizimit të protestave nëse situata nuk zgjidhet./TS/