Shkruan: Merxhan Jakupi
Me fillimin e Luftës së Madhe, në katundet e Malësisë së Sharrit, një pjesë e të rinjve kishin dalë në male, partizanë, kurse një pjesë kishin dalë me ballistët.
Adem Delija, në periudhën e Mbretërisë, kishte pasur ëmbëltore në Vllahi. Me fillimin e luftës, Adem Delisë, së bashku me dy djemtë, ia kishin uzurpuar dyqanin dhe shtëpinë në Bukuresht. Në fund e kishin dëbuar dhe ishte kthyer në katund.
Dy djemtë e Adem Delisë kishin rrokur pushkët dhe kishin dalë maleve me partizanët.
Adem Delija, rrëfenin katundarët, ishte kalemxhi. Përveç serbokroatishtes e vllahishtes, thoshin se e dinte edhe gjuhën e allamanit. Mbahej kavalier dhe burrë zotni. Vishej allafranga, me kostume e kravatë.
Tek kafeneja e Llutës, shpesh Dema porosiste kafe dhe bozë për të gjithë burrat dhe pleqtë.
-Aferim,- tha Aqif Qafgjati,- pse nuk i dërgove djemtë me çetat e ballistëve, por me kaurët?
Demë Delija, me çallëm, e ngriti gishtin dhe foli: “Po të kisha edhe pesë djem, të gjithë do të shkonin me partizanët!”
Pasi shkoi Dema, në tryezë ku ishin ulur ish-veteranët, Osman Zeneli, një burrë me hijeshi, zë të rëndë dhe me sens humori, tha:
-I shkreti, erdhi me një valixhe dhe pa kësulë në kokë!
Njëri që ishte në krah i tha:
-Po ia kanë uzurpuar gjithçka, hyqymeti i Vllahisë, kur kishin ardhur komunistët.
Pa një, pa dy, Zeneli ia priti: “Lëri këto pallavra! Se ne dimë… Nuk ia mori dyqanet hyqymeti, por Demës ia hëngrën vllahinkat dhe orospitë e Bukureshtit!”
Nga rrafshi, te shkolla e katundit kishin ardhur me ta edhe eprorë ushtarakë dhe partizanë shqiptarë.
Pasi oficeri serb foli për Luftën Nacionalçlirimtare, më pas foli edhe për diskriminimin, shtypjen dhe reprezaljet që shqiptarët kishin përjetuar gjatë dy dekadave të periudhës së Krajlit. Oficeri tha:
-Ju, arnautët, pasi t’i dëbojmë armiqtë, do të vendosni vetë. Nëse doni, mund të jeni me ne, me popujt jugosllavë, ose të bashkoheni me shtetin tuaj, Shqipërinë.
Menjëherë pasuan ovacione dhe brohoritje: “Tito, Enver, ne do të flasim çdo herë!”
Një partizan shqiptar, me grushtin e shtrënguar dhe zërin e lartë, brohoriti: “Të rrojë Partia, bashkë me shokun Tito dhe Enverin!”
Në fund foli edhe Dem Delija. Me një serbishte të rrjedhshme tha:
-Dy djemtë e mi, unë ia fala Partisë.
Vazhduan duartrokitjet dhe brohoritjet:
“Rroftë Tito! Rroftë Enveri!”
Tek kafeneja e Llutës, e vetmja kafene në katund, ishin ulur në tryeza burrat dhe pleqtë. Kishte arritur kumti se një ndër djemtë e Dem Delisë ishte vrarë. Disa thonin se djali trim, me një shishe benzinë, ishte hedhur mbi tank. Disa thonin se ishte vrarë nga një ballist, po nga i njëjti katund.
Lajmi ishte përhapur në gjithë katundet e Malësisë së Sharrit.
Komesari e kishte thirrur babanë e dëshmorit, Dem Delinë, te shtabi.
Duke i shprehur ngushëllime, komisari i tha:
-Djali juaj do të mbetet i pavdekshëm. Të vdesësh për kauzën e atdheut dhe partisë është vdekje e ëmbël dhe e shenjtë.
Komesari, së bashku me një korrespondent lufte, kishte përgatitur disa vargje për dëshmorin e popullit.
Babait të dëshmorit ia kishin dhënë një fletushkë të rëndësishme që ta lexonte para katundarëve kur të bëhej varrimi i heroit dhe dëshmorit.
Pasi kishin sjellë arkivolin e dëshmorit nga malet, në shtëpinë e Dem Delisë filluan të vinin farefis, miq dhe katundarë.
Tek oborri dëgjoheshin vaje e rënkime. Në oborrin e shkollës së pari mori fjalën komisari:
-Kam nderin të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta në emër të Partisë dhe të atdheut, në emër të shokut Tito dhe shokut Enver Hoxha.
Pasuan ovacione dhe brohoritje: “Tito-Enver, do të flasim çdo herë!”
Më pas foli partizani shqiptar:
-Tek populli ynë shqiptar ka filluar epokë e re. Ne shqiptarët nuk do të mësojmë si më parë në mejtepe në gjuhën turke dhe në shkollat e Krajlit në gjuhën serbokroate. Do të hapim shkolla, fakultete. Do të ndërtojmë uzina, kooperativa dhe fabrika.
Rroftë Tito! Rroftë Enver Hoxha!
Nga turma dëgjohej zëri:
“Të rrojë Partia sa malet e Sharrit!”
Më pas dhe një herë fjalën e mori komisari:
-Ju arnautët, në kohën e Krajlit, ishit sharaxhi. Hapni kanalet si në kohën e babilonasve në Beograd.
Pasi pushoi një copë herë, në gjuhën serbe shtoi edhe një maksimë: “Smrt kralju Aleksandru. Živio Tito!“ (Vdekje krajlit Aleksandër. Rroftë Tito!)
Kur arkivoli u soll në oborrin e shtëpisë, nëna, vajtonte me zë deri në kupë të qiellit:
-O biri i nënës, o shpirti i nënës, ma le nusen e re me dy fëmijë! Qofshin mallkuar partizanët e komunistët! O biri i nënës, të thashë mos shko në luftë! Nuk i dilet allamanit me pushkë prej çatalli.
Kur Dem Delinë e kishte thirrur komisari në shtab, korrespondenti, që ishte poet, i tha babait të dëshmorit:
-Kam thurë disa vargje për djalin tuaj, që do të mbetet hero, mit dhe idol i Partisë. Do të ishte mirë që nëna e djalit, para ceremonisë së varrimit, të dilte dhe t’i recitojë ato.
-Unë jam krenare dhe mburrem për djalin që dha jetën për kauzën, idealet dhe aspiratat e popullit dhe të Partisë. Djalin ia fala Partisë, ia ktheu Dema.