Mbaroi pa epilog takimi i drejtorit dhe të punësuarve në Inspektoratin e Gjuhëve me koordinatoret e grupeve parlamentare, lidhur me problemin e mungesës së rrogave. Zgjidhja, duket të jetë më shumë politike sesa ligjore. Ndryshimet e Ligjit për Inspektoratin e Gjuhëve ndodhen në Kuvend, ndërsa janë bllokuar për shkak se mazhoranca nuk ka shumicë Badenteri. Për këtë, nevojitet ndihma e Frontit Evropian opozitar, por opozita shqiptare nuk pranon të votojë ndryshimet ligjore nën arsyetimin se fshihet subjektiviteti juridik i institucionit. Por nga shumica thonë se nuk bëhet fjalë për shuarje të Inspektoratit. Ata ftojnë të votohen ndryshimet që të punësuarit të marrin rroga dhe pastaj të ulen të bisedojnë për zgjidhjen e ardhshme. /Alsat.mk