Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë qendrore të Bashkimit Demokratik për Integrim, zëdhënësi dhe njëherësh nënkryetari i partisë, Arbër Ademi, në një deklaratë ekskluzive për TS, bëri të ditur se në takim është zhvilluar një debat thelbësor dhe vizionar lidhur me sfidën që e pret vendin dhe shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme.

“Pati një diskutim të thellë mbi ‘referendumin’ që kemi përpara: a do të mbrojmë vlerat e barazisë, dinjitetin institucional të komunitetit shqiptar dhe perspektivën evropiane, apo do të normalizojmë poshtërimin, margjinalizimin dhe izolimin?”, deklaroi Ademi.

Sipas tij, Kryesia e partisë, në harmoni të plotë, ka autorizuar kryetarin Ali Ahmeti që të udhëheqë procesin e bisedimeve me partitë tjera për të energjizuar Frontin Evropian dhe atë Kombëtar, me synim fitoren më të madhe për të gjithë qytetarët.

Ky zhvillim vjen në prag të një faze të re zgjedhore në vend, ku pritet që partitë shqiptare dhe ato pro-evropiane të përcaktojnë qasjet dhe aleancat për zgjedhjet lokale që afrohen.