Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, së bashku me zëvendëskryeministrin dhe ministrin për Marrëdhënie Ndëretnike, Ivan Stoilkoviq, dhe ministren e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, morën pjesë në panel-diskutimin e sotëm me temën: “Po i ndërtojmë themelet e ndryshimeve. Për kohën tënde që po vjen”, i organizuar me rastin e njëvjetorit të punës së Qeverisë.

Ministri Perinski theksoi se Ministria e Vetëqeverisjes Lokale për vite me radhë ka qenë në hije – pa rol të qartë dhe pa mbështetje të vërtetë – por Qeveria ka vendosur t’i kthejë asaj misionin thelbësor: të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet pushtetit qendror dhe komunave, si dhe të jetë një forcë udhëheqëse për zhvillimin rajonal të barabartë.

Në fjalimin e tij, ministri Perinski theksoi se gjatë vitit të kaluar, Ministria ka punuar me përkushtim dhe vizion të qartë për të analizuar gjendjen ekzistuese në nivel lokal, duke identifikuar mangësitë, por mbi të gjitha duke u fokusuar në njohjen e nevojave të qytetarëve dhe komunave. Si rezultat i kësaj, Ministria ka realizuar dhe mbështetur zgjidhje konkrete që tashmë po përmirësojnë drejtpërdrejt kushtet e jetesës në komunitetet lokale – në fusha si transporti, mjedisi, efikasiteti energjetik, kultura, sporti, arsimi, turizmi dhe politika sociale.

“Këto rezultate janë arritur përmes programeve për zhvillim të barabartë rajonal, për zvogëlimin e dallimeve mes dhe brenda rajoneve planifikuese dhe për rritjen e konkurrencës rajonale, si dhe përmes nënpogramit për projekte infrastrukturore në komuna. Po bëhet realitet edhe digjitalizimi i shërbimeve komunale, me udhërrëfyes të qartë për qasje më të lehtë te shërbimet dhe rritjen e përgjegjësisë së autoriteteve lokale. Veçanërisht e rëndësishme është se, pas më shumë se dy dekadash, Ministria ka iniciuar ndryshime thelbësore në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale me qëllim përmirësimin e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe transparencës. Po vendosim themelet e ndryshimeve që do të sigurojnë funksionim më të mirë të sistemit të vetëqeverisjes lokale. Qëllimi është i qartë – komuna më funksionale dhe qytetarë më të kënaqur”, përfundoi ministri Perinski.