Në përplasjen që patën sot në vendosjen e një gurëthemeli të një çerdheje në Bardhosh të Prishtinës, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe i pari i Prishtinës, Përparim Rama, tani është përfshirë edhe Ministri në detyrë, deputeti i VV-së, Hekuran Murati, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Rama sot iu drejtuar Kurtit me kërkesën për zhbllokimin e buxhetit të Komunës, e për këtë Murati ka thënë se përshkak që opozita po e bllokon konstituimin e Kuvendit, ka mbetur pezull edhe buxheti i tri komunave.

Sipas tij, ankesa e kryetarit Rama duhet të jetë në adresën e LDK-së, e cila siç thotë ai s’po e voton konstituimin e Kuvendit.

“Megjithatë, mos-hyrja në fuqi e Buxhetit të Komunës së Prishtinës, nuk e ka ndalur Përparim Ramën dhe LDK-në që të nënshkruajnë kontrata milionëshe e të shpallin tenderë milionësh pa kurrfarë mbulese në stilin “aksham-pazar”, duke shkelur kështu Ligjin për Financa Publike dhe atë të Prokurimit Publik. Për këto shkelje, do të duhej qëmoti të ishte aktivizuar prokuroria, por deri më tani nuk kemi parë asnjë veprim nga ana e tyre”, ka shkruar mes tjerash Murati në Facebook.


Në gurëthemelin e çerdhes në Bardhosh paraditen e së hënës, Rama kërkoi nga Kryeministri në detyrë që të zhbllokojë buxhetin e Komunës së Prishtinës, pasi siç deklaroi ai përfshihen edhe projekte të mëdha, ku përmendi unazën e kryeqytetit në vlerë 206 milionë euro.

Duke iu referuar projekteve madhore, Kurti tha se ato kërkojnë planifikim afatgjatë dhe la të kuptohet se një bashkëpunim i tillë mund të ndodhë “ndryshe, mbase me dikë tjetër”, duke shtuar se “kryetari Rama pas vjeshtës duhet të gjejë një punë tjetër”.

“Së pari, fëmijët janë të vegjël, por asnjë çerdhe nuk është minore. Çdo çerdhe duhet të trajtohet me seriozitet. Së dyti, unë e kam takuar kryetarin e Komunës së Prishtinës disa herë në zyrën time dhe investimet janë 12 milionë e 243 mijë euro në fushën e arsimit në kryeqytet. Dhe këtu jemi për fushën e arsimit, jo për çështje të tjera. Kemi edhe investime të tjera, por investimet madhore që janë shumëvjeçare kërkojnë planifikime të tjera. Ky është një plan shumëvjeçar, të cilin duhet ta bëjmë ndryshe, mbase me dikë tjetër. E, kryetari Rama pas vjeshtës duhet të gjejë një punë tjetër”, tha Kurti.