Një ndarje e papritur ka tronditur kombëtaren e Polonisë vetëm pak kohë para ndeshjeve vendimtare të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Robert Lewandowski, legjenda e sulmit polak, ka njoftuar tërheqjen e tij të përkohshme nga përfaqësuesja, pas vendimit të trajnerit Michal Probierz për t’i hequr shiritin e kapitenit dhe për ta dorëzuar te mesfushori Piotr Zielinski.

“Duke pasur parasysh rrethanat dhe humbjen e besimit tek trajneri, kam vendosur të mos luaj për ekipin kombëtar për sa kohë që ai është në stol,” shkroi Lewandowski në një postim në rrjetin social X (ish-Twitter).

“Shpresoj të jem në gjendje të luaj sërish për tifozët më të mirë në botë.”

Federata Polake e Futbollit konfirmoi zyrtarisht vendimin e trajnerit për ndërrimin e kapitenit:

“Me vendim të trajnerit Michal Probierz, Piotr Zielinski është emëruar kapiten i ri i kombëtares. Vendimi u komunikua personalisht Robert Lewandowskit dhe të gjithë ekipit.”

Ky vendim ka nxitur debate të ashpra brenda dhe jashtë vendit. Lewandowski, i cili ka zhvilluar mbi 150 ndeshje dhe ka shënuar mbi 80 gola për Poloninë, mbetet figura më e njohur në historinë e futbollit polak modern. Tërheqja e tij vjen në një moment kritik për skuadrën, e cila është ende në garë për një vend në Botërorin e ardhshëm.

Brenda medias sportive polake, reagimet janë të ndara: disa mbështesin vendimin e trajnerit si pjesë e një faze rinovimi, ndërsa të tjerë e quajnë veprimin si një “gabim fatal” që mund të kushtojë jo vetëm atmosferën në ekip, por edhe vetë kualifikimin.