Lista “Më mirë për Tetovën” ka kritikuar përpjekjet e partive në pushtet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pasi siç thonë, po dëshirojnë të mënjanojnë në tërësi faktorin joqeveritar.

“Ky propozim ligj tentohet të miratohet me procedurë të shkurtuar, pa debat publik, pa transparencë edhe pse u anulua vetëm një muaj më parë nga Gjykata Kushtetuese, kurse tani rikthehet në version edhe më të rëndë! Ndryshimet e reja janë përpjekje për t’i fshirë zërat e pavarur nga harta politike”, tha Agon Arifi- Më Mirë Për Tetovën.

Kryeministri Mickoski tha se ndryshimet e Kodit Zgjedhor kërkojnë konsensus politik dhe sipas tij ekziston një gjë e tillë. Pakënaqësitë e organizatave joqeveritare tha se nuk mund t’i ndalë.


“Në Gjermani për të hyrë në Bundestag nevojitën 5%, tani në tjera shteti, 3,4% ose më shumë. Shikoni mund të paraqitet dikush që nuk është i kënaqur, tani demokracia është ashtu që ne nuk mund të ndalojnë kënaqësi ose pakënaqësi. I pranojmë ato porosi, i analizojmë dhe sjellim vendimet më të mira që i leverdisin qytetarëve dhe jo individëve”, shtoi Hristijan Mickoski – Kryeministër .

Sipas propozim ndryshimeve, kandidatët e pavarur do të mund të garojnë në zgjedhje me 900 nënshkrime, ndërsa kandidatët e partive politike duhet të mbledhin 1 mijë nënshkrime.

Në tekstin e propozimit thuhet se ndryshimet e propozuara synojnë përmirësimin e procesit zgjedhor dhe garantimin e votës së lirë, të barabartë dhe demokratike, duke u bazuar në rekomandimet e ODIHR.

Paraprakisht, edhe shoqata qytetare reaguan se Kodi zgjedhor është bërë armë kundër të pavarurve.