Presidenti kroat Milanoviq: Izraeli udhëhiqet nga një klikë kriminale që po e shtyn botën drejt luftës

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, deklaroi sot se Izraeli aktualisht drejtohet nga një klikë kriminale që dëshiron ta përfshijë botën në luftë.
Duke komentuar situatën në Lindjen e Mesme, Milanoviq u tha gazetarëve në Zagreb se qëndrimi i tij për situatën aktuale në Lindjen e Mesme është i ndryshëm nga ai i partisë në pushtet dhe i kryeministrit Andrej Plenkoviq.
“Izraeli aktualisht udhëhiqet nga një klikë kriminale dhe po përpiqet ta fusë botën në luftë”, deklaroi Milanoviq para gazetarëve në Zagreb.
Më herët gjatë ditës, gjatë pjesës së hapur të mbledhjes së Qeverisë, Plenkoviq shprehu shqetësim të thellë për përshkallëzimin e ri të konfliktit në Lindjen e Mesme, paqëndrueshmërinë në rajon dhe pasojat që ky konflikt mund të ketë më gjerësisht, përfshirë rritjen e çmimeve të naftës dhe mundësinë e valëve të reja të emigrantëve.
“Të gjitha këto janë tema që lidhen drejtpërdrejt me të gjithë ne, edhe pse duket se këto konflikte janë larg nesh”, tha Plenkoviq.
Ai shtoi se beson se duhet të bëhen përpjekje më të gjera diplomatike nga të gjithë aktorët kryesorë të bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike në kontekstin e programit bërthamor iranian, dhe se në të gjithë këtë kontekst duhet të gjendet një zgjidhje që do të çonte drejt një zgjidhjeje me dy shtete.