U bëjmë thirrje autoriteteve kompetente në vend që të hetojnë gabimin e mundshëm mjekësor në lidhje me vdekjen e fëmijës sonë, reaguan pasdite prindërit e fëmijës nga Kavadari, i cili humbi jetën dje në mëngjes gjatë rrugës për në klinikat e Shkupit.

“Të hënën në mëngjes, në orën tre pa njëzet minuta, gruaja ime më zgjoi me fëmijën në krahë, të malaksuar dhe më tha të çohesha shpejt sepse djali nuk ndihej mirë. Fillimisht kërkuam ndihmë mjekësore në Kavadar, por më duket se situata jonë nuk u mor seriozisht. Prandaj kërkojmë që të formohet një komision për të përcaktuar rrethanat e sakta në të cilat ndodhi vdekja, ai humbi jetën në krahët tonë”, tha babai Toni Stojanov në deklaratë për MIA-n.

Siç më herët kumtuan nga policia, fëmija trevjeçar është sjellë i vdekur në kompleksin klinik “Nënë Tereza” në Shkup.

Policia informoi se në bisedë zyrtare, nëna e tij T.GJ.S. (36) nga Kavadari deklaroi se rreth orës 3:00 të mëngjesit e çoi në Spitalin e përgjithshëm të Kavadarit, prej ku i dërguan në Klinikën për sëmundje të fëmijëve në Kompleksin e klinikave “Nënë Tereza” në Shkup, ku në orën 8:45 u konstatua vdekja.

MIA-a tentoi të merrte deklarata zyrtare nga personeli mjekësor në lidhje me këtë rast. Tani për tani, asnjë nga palët e kontaktuara nuk i është përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve tona në viber.