Problemet e tretjes si kapsllëku apo vështirësia në gëlltitje mund të dyfishojnë rrezikun për zhvillimin e sëmundjes së Parkinsonit

Prej kohësh është diskutuar se sëmundje si Alzheimeri, goditjet në tru apo aneurizmat mund të kenë lidhje me traktin gastrointestinal. E njëjta gjë po vihet re gjithnjë e më shumë edhe me Parkinsonin, i cili sipas disa studimeve, mund të fillojë pikërisht në zorrë.

Megjithatë, një studim i gjerë ka zbuluar se katër probleme të caktuara me zorrët mund të shërbejnë si shenja paralajmëruese për këtë sëmundje neurologjike.

“Ky është studimi i parë që ofron prova të rëndësishme vëzhguese se një diagnozë klinike e çrregullimeve të zorrëve mund të parashikojë zhvillimin e Parkinsonit”, thanë autorët e studimit.

Studiuesit analizuan të dhënat mjekësore të mbi 67 mijë persona në SHBA, përfshirë më shumë se 24 mijë pacientë me Parkinson, 19 mijë me Alzheimer dhe afro 24 mijë me sëmundje cerebrovaskulare.

Në këtë analizë u vlerësuan problemet me tretjen që ishin paraqitur gjashtë vite para se të diagnostikohej Parkinsoni. U përfshinë gjithashtu të dhënat e pacientëve të diagnostikuar me 18 gjendje të ndryshme të zorrëve, për të parë nëse ekzistonte lidhje me zhvillimin e Parkinsonit apo sëmundjeve të tjera neurologjike.

Rezultatet ishin të qarta: personat që kishin kapsllëk, vështirësi në gëlltitje ose gastroparezë (gjendje ku ushqimi kalon ngadalë nga stomaku në zorrë), kishin më shumë se dyfishin e rrezikut për të zhvilluar Parkinsonin brenda pesë viteve.

Nga ana tjetër, disa çrregullime të tjera të zorrëve, si sëmundjet inflamatore të zorrëve, nuk treguan ndonjë lidhje me këtë sëmundje.

Një tjetër gjetje interesante ishte se pacientët që kishin hequr apendiksin, kishin një rrezik më të ulët për zhvillimin e Parkinsonit.

Studiuesit theksuan se këto rezultate nënvizojnë rëndësinë e vigjilencës ndaj problemeve të tretjes, veçanërisht te personat me rrezik të lartë për Parkinson. Ata kërkuan gjithashtu më shumë kërkime për të zbuluar lidhjet e mundshme midis çrregullimeve gastrointestinale dhe sëmundjeve si Alzheimeri, goditjet cerebrale dhe aneurizmat.