Presidenti rus, Vladimir Putin, ka shprehur shqetësim për kërcënimin në rritje të një lufte të tretë botërore, duke përmendur konfliktet në rritje në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme si pika të rrezikshme të nxehta, raporton Anadolu.
“Tani ka shumë potencial për konflikt. Jemi të shqetësuar për mundësinë e një lufte globale. Të gjitha konfliktet duhet të zgjidhen me mjete paqësore”, tha Putin në një fjalim në forumin e Shën Petersburgut.
Ai kritikoi NATO-n për zgjerimin drejt lindjes, duke theksuar se aleanca vazhdon të shpërfillë interesat e sigurisë së Rusisë.
“Kjo është edhe një gjurmë e politikës neokoloniale të Perëndimit”, tha ai.
Putin gjithashtu tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ishte zotuar të mbështeste kërkesën e Rusisë për të garantuar sigurinë e personelit të saj në centralin bërthamor Bushehr të Iranit.
Lidhur me Lindjen e Mesme, Putin komentoi mbi kërcënimin e raportuar të Izraelit për të vrarë udhëheqësin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, duke theksuar: “Shpresoj që kjo të mbetet vetëm retorikë”.
– Përdorimi i armëve bërthamore kundër Rusisë do të ishte “gabimi i fundit” i Kievit
Presidenti Putin paralajmëroi Ukrainën se çdo përdorim i armëve bërthamore kundër Rusisë do të ishte “gabimi i fundit” i Kievit. Ai tha se nëse Ukraina përpiqet të hedh një të ashtuquajtur “bombë të ndyrë” në territorin rus, kjo do të shkaktonte një “përgjigje pasqyruese” nga Moska.
“Ky do të ishte një gabim kolosal nga ata që ne i quajmë neonazistë që veprojnë në Ukrainën e sotme, ndoshta i fundit i tyre”, tha ai.
Putin theksoi se doktrina bërthamore e Rusisë parashikon një përgjigje të ashpër ndaj kërcënimeve ekzistenciale, duke shtuar se pasojat për Kievin do të ishin të tmerrshme.
“Përgjigja jonë do të ishte jashtëzakonisht e ashpër, me shumë mundësi katastrofike, si për regjimin neonazist ashtu edhe për vetë Ukrainën”, tha ai.
Në të njëjtën kohë, Putin pranoi se Rusia aktualisht nuk ka prova të konfirmuara që sugjerojnë se Ukraina planifikon të përdorë një ”bombë të ndyrë”.
“Falë Zotit, nuk kemi prova për qëllime të tilla. Por ne veprojmë nën supozimin se një ide e tillë mund të lind në mendjen e sëmurë të dikujt”, tha ai.
– “Rusia mund të mos ketë për qëllim të marrë nën kontroll qytetin Sumy, por nuk e përjashton këtë”
Presidenti rus tha se forcat ruse kanë krijuar një zonë të sigurisë deri në 12 kilometra thellë përgjatë kufirit ukrainas, duke përmendur si justifikim sulmet e përsëritura nga qyteti Sumy, që ndodhet në rajonin kufitar verilindor të Ukrainës.
Putin pretendoi se forcat ukrainase kanë “hyrë” në rajonin Kursk të Rusisë dhe kanë kryer “krime kundër popullsisë civile”.
Ai tha se trupat ruse në përgjigje shkaktuan “humbje të mëdha” dhe i dëbuan sulmuesit, duke e çuar Moskën të sigurojë zonën kufitare.
“Tani duhet të krijojmë një zonë të sigurisë përgjatë kufirit shtetëror, sepse ata vazhdimisht sulmojnë nga atje me artileri dhe drone. Thellësia është gati 12 kilometra, diku 8, 10, 12 kilometra. Më pas është qyteti Sumy”, tha Putin.
Ai gjithashtu tha se Rusia aktualisht nuk synon të marrë nën kontroll qytetin Sumy, por nuk do ta përjashtonte këtë, duke e akuzuar Ukrainën për provokim të situatës përmes “veprimeve krejtësisht analfabete dhe të pajustifikuara”.
Kur u pyet se sa larg synon të përparojë Rusia në Ukrainë, Putin tha se beson se popujt rusë dhe ukrainasë janë një komb dhe në këtë kuptim, “e gjithë Ukraina është e jona”.
“Ku shkel këmba e një ushtari rus, ajo është e jona”, tha ai.
Qeveria ukrainase nuk i është përgjigjur menjëherë komenteve të presidentit Putin.
Në vitin e katërt të luftës, operacionet tokësore të Rusisë së fundmi janë intensifikuar në Ukrainën verilindore, veçanërisht pranë rajonit Kharkiv, derisa zyrtarët e Kremlinit vazhdojnë t’i paraqesin lëvizjet e tilla si përgjigje mbrojtëse ndaj sulmeve ukrainase.